Google ADS

Presidenti “tradhton” Luginën

16:24 | 15 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në platformën për dialog me Serbinë e cila tashme e finalizuar është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës dhe po pret dritën jeshile të legjislativit nuk është përfshirë ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për bashkimin e Luginës me Kosovën.

Kjo platformë, është thënë nga Ekipi Negociator, nuk e ka marrë mbështetjen e të gjithë krerëve të shtetit duke përfshirë edhe presidentin e vendit Hashim Thaçi. Ata kanë thënë së është bërë në bashkëpunim me bartësit e presidentit dhe se është mirëpritur edhe nga vetë presidenti Thaçi.

Por, në bazë të asaj çfarë shkruan në platformë, del se presidenti Thaçi ka hequr dorë nga premtimi i tij për të bashkuar Luginën me territorin e Kosovës, shkruan arbresh.info.

Presidenti Thaçi, muaj më parë u kishte premtuar shqiptarëve të Luginës posaçërisht kryetarëve të tri komunave që do të mundësojë bashkimin e Luginës me Kosovën.

“Dihet botërisht që këtë të drejtë presidenti e ka mbështetur plotësisht dhe botërisht. Nëse dje e ka mbështetur fuqishëm, sot do ta mbështesë edhe më fuqishëm, që kjo e drejtë të realizohet. Do të bëjmë përpjekje maksimale që kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë dhe kjo padrejtësi historike të korrigjohet”, kishte deklaruar Thaçi pas takimit me përfaqësuesit e Luginës.

Në pikën e tetë të kësaj platforme thuhet se Serbia duhet të njoh pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës brenda kufijve ekzistues.

“8. Procesi i normalizimit dhe marrëveshja eventuale duhet të përfshijë një pranim të qartë, kuptimplotë, të pa kushtëzuar dhe të pakthyeshëm nga Republika e Serbisë të shtetësisë së ligjshme të Kosovës. Kjo përfshinё: a) njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës brenda kufijve ekzistues; b) gatishmërinë për të vendosur marrëdhënie diplomatike; dhe c) respektimin e plotë të drejtave të Kosovës si një shtet në të drejtën ndërkombëtare.

Duke nënvizuar “Kufijtë ekzistues” , platforma parasheh që Presheva, Bujanovci dhe Medvegja mos të përfshihen në territorin e Kosovës por të mbesin nën petkun e Serbisë.

Gjithashtu, një argument tjetër që dëshmon se presidenti Thaçi ka hequr dorë nga ideja e tij për ndryshim territorial është edhe pika e 14-të e platformës. Në këtë pik kërkohet nga Serbia që t’i trajtojë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Serbinë në mënyrë të barabartë.

“14. Është thelbësore që angazhimi i Serbisë ndaj këtyre parimeve të përputhet me atë të Kosovës, në bazë të barazisë dhe reciprocitetit. Shqiptarët jashtë vendit, duke përfshirë ata që jetojnë në Republikën e Serbisë, nuk duhet të kenë më pak të drejta për të shfaqur dhe treguar identitetin e tyre dhe për të jetuar me dinjitet sesa serbët që jetojnë në Kosovë. Procesi i dialogut duhet të siguroj barazinë e dispozitave në të dy anët e kufirit në një nivel të lartë të të drejtës ligjore”, thuhet në platformë.

Mbetët të shihet nëse kjo platformë do të mbetet kështu siç është apo do të pësoj ende ndryshime pasi të diskutohet nga deputetët në Kuvendin e Kosovës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme