Dëshmia e ish-policit: Arsye për vrasjen e Triumf Rizës ishte lidhja me Adelina Ismajlin

14:15 | 15 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, në seancën e së premtes ka dhënë dëshminë e tij, dëshmitari Shpend Qerimi.

Qerimi,  i cili njëherit ndodhet në vuajtje të dënimit me burgim për rastin shpërthimit që kishte ndodhur tek lokalet e të akuzuarit Sekiraqa, tha se ndër arsyet kryesore të vrasjes së tani të ndjerit Triumf Riza, nga anëtarët e grupit Sekiraqa, ishte edhe lidhja e tij me këngëtaren Adelina Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Probleme përveç detyrës zyrtare, ai ka pasur edhe për bashkëshorten e tij Adelina Ismajlin. Katër-pesë probleme të njëpasnjëshme që e kanë detyrua me marr këtë akt zotërinë Enver Sekiraqa. Ne dy ose më shumë herë jemi taku në Ferizaj me Triumf Rizën dhe Adelina Ismajlin, që e ka pas si të fejuar, ka tregu qysh i ka qit Enveri haraq Adelina Ismajlit, qysh e ka shantazhu”, tha dëshmitari Qerimi.

Ai deklaroi se ishte njoftuar nga i ndjeri Riza për kronologjinë e konfliktit me tani të akuzuarin Sekiraqa, që sipas tij datonte që nga viti 2000, kur sipas tij, i  ndjeri Riza kishte parandaluar disa padrejtësi që ishin bërë në shkollat e Prishtinës, nga anëtarët e grupit të Sekiraqës.

“Triumfi në mënyrë kronologjike disa herë na ka shpjegua qysh ka ardhur deri tek këto kërcënime. Ai thotë që me grupin e Enever Sekiraës kanë filluar problemet qysh nga viti 2000, qysh në shkollat e Prishtinës, kur sa ka qenë polic i ka parandaluar disa padrejtësi që janë bërë në shkolla nga grupi i Sekiraqës. Aty ka nis starti i parë i problemit me Enver Sekiraqën, jo pse ai ka pasur diçka personale me grupin e Sekiraqës, por detyra e ka detyruar me marr masa për mbrojtjen e jetës së qytetarëve” deklaroi dëshmitari.

Tutje, Qerimi tha se sipas asaj që i kishte treguar i ndjeri  Riza, grupin e të akuzuarit Sekiraqa e përbënin Ilir Abdullahu, i cili kishte pseudonimin Riza, Rrahim Abdullahu me pseudonimin Rrumqi, Agron Bytyqi , Ilir Vitija, Sali Sekiraqa si dhe persona tjerë, për të cilët tha se tanimë nuk i kujtohen.

I njëjti përmendi edhe rastet të cilat sipas tij kishin shkaktuar frikë dhe shqetësim tek i ndjeri Riza.

“Ai ka qenë i shqetësuar se një herë ju ka kall vetura, tjetër rast ka qenë problemi në “Sëiss Cassino”, tjetër rast ka qenë që ju ka përgatit një atentat në rrugën e Stagovës, edhe ai e ka tejkaluar atë. Qysh e ka shpjegu ai, ju kanë vendos disa drunjë në rrugë , ai ka qenë i përgatitur për mbrojtje të afërt, e ka pa që është një kurth, e ka tejkaluar se e ka pas xhipin “Cruiser” dhe ka kaluar nëpër ara, dhe nuk është ndal për mi hjek ato pengesa” tha dëshmitari.

Ndërsa, kur u pyet nga prokurori i rastit, Haki Gecaj, për rastin e “Sëiss Cassinos”, dëshmitari Qerimi u përgjigj se sipas asaj që i kishte thënë i ndjeri Riza, ky i fundit kishte qenë bashkë me Arben Sylejmanin aty brenda.

“Për rastin “Swiss Casssino”, sa më kujtohet qysh ma ka shpjegu Triumfi, ka qenë bashkë me Arben Sylejmanin aty, e më vonë ka ardhur Enver Sekiraqa, sipas Triumfit gjithmonë. Kanë ardhur Enver Sekiraqa, Agron Emini apo Bytyqi nuk jam i sigurt dhe disa tjerë që nuk më kujtohen emrat e tyre, dhe një grup femrash pjesë e grupit të Enver Sekiraqës, gjithmonë sipas Triumfit, aty ka qenë Fjolla Morina. Ne i kemi bo pyetje si kanë arrit mi fut armët në diskotekë pasi aty ka sigurim, e Triumfit thotë që ato armë të grupit të Sekiraqës i ka fut Fjolla Morina, përmes çantës së femrave që nuk e ka kontrolluar sigurimi”, deklaroi dëshmitari.

Ai deklaroi se para vrasjes së Triumf Rizës kishte marrë një telefonatë nga zyrtari tjetër policor, Arben Sylejmani, i cili ishte plagosur në rastin e “Swiss Cassionos” dhe i cili i kishte thënë atij se ishte larguar nga Kosova, pasi Enver Sekiraqa e kishte kërcënuar me vrasje atë dhe familjen e tij.

“Niher e kam marr një telefonatë nga Arben Sylejmani, sa jam kon polic. Ai në atë kohë e kish lëshuar Kosovën, para se me ndodh vrasja e Triumfit dhe e pyeta ku je, e pash numrin që ke i huaji, sa më kujtohet ka qenë numri i Kroacisë. Tha që jam detyru me lëshu Kosovën. E pyeta pse, tha që kam kërcënime me vrasje, për të dhe për familjen e tij, nga Enver Sekiraqa” shtoi Qerimi.

Ndërsa, kur u pyet nga prokurori Gecaj, nëse ai ishte takuar personalisht me tani të akuzuarin Sekiraqa, dëshmitari Qerimi u përgjigj se ishin takuar dy herë me të akuzuarin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Takimi i parë që e kam pasur me Enver Sekiraqën ka qenë arrestimi i tij në Ferizaj, nëse nuk gaboj në vitin 2006. Aty Enver Sekiraqa është arrestuar nga njësiti “Rosu”, për një kërcënim, shantazh të një femre që s’po dua me i cek emër se tash është e martuar. Në takimin e dytë,  Enver Sekiraqa e ka potencuar që ka qenë i obliguar me dhanë pare, kishe u kanë i shantazhuar nga disa policë. Ia kam propozuar që me ardh me jap deklaratë në UNMIK, pasi që s’po ju beson Shqiptarëve dhe ai ka thanë që s’vi me dhanë deklarata, dhe aty e pash që e ka blof , akuzë boshe” shtoi Qerimi.

Tutje, dëshmitari Qerimi tha se pas arrestimit të Sekiraqës në Ferizaj, ai kishte menduar që përgatitja e rastit për arrestim ishte organizuar nga Triumf Riza , dhe se pikërisht atë ditë, ai tha se i akuzuari Sekiraqa i ishte drejtuar atij me fjalët “çka mi bo atij qenit të Sharrit duke pretenduar tek Besnik Hasani, se për këta llaskucat, po mendoj për Triumf Rizën e këta, krejt në kontejner ki mi pa shpejt”.

Ndërsa kur u pyet nga prokurori Gecaj, nëse e kishte përmendur më parë i ndjeri Riza emrin e Arben Berishës, tanimë të dënuar për vrasjen e këtij të fundit, dëshmitari Qerimi u përgjigj se për personin me emrin Arben Berisha, ai kishte kuptuar vetëm në momentin e dorëzimit të tij tek policia, si përgjegjës për vrasjen e të ndjerit Triumf Riza.

“Për personin Arben Berisha kam kuptuar vetëm në momentin kur është dorëzuar, kurrë prej Triumf Rizës, kurrë prej Arben Selmanit, as prej njësitit ku kam punuar në inteligjencë nuk e kam dit që ky ka qenë në problem me Triumfin, sefte e kam kuptuar në momentin e dorëzimit” tha ai.

Në fund, dëshmitari i përlotur u përgjigj se sipas mendimit të tij, tani i ndjeri Triumf Riza, ka qenë polici më i përgatitur sipas tij, si në aspektin fizik dhe atë psikik për çdo situatë.

Qerimi shtoi se tani i ndjeri Riza ka qenë një polic shembull për gjeneratat e reja, dhe që do të ishte e vështirë të gjendej një polic i tillë.

Ndryshe, një fazë e dëgjimit të këtij dëshmitari, është mbyllur për publikun nga ana e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, për arsye të mbrojtjes së interesave personale.

Propozimi për mbyllje u bë nga mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, me arsyetimin se ajo kishte hartuar disa pyetje të cilat do t’ia parashtronte dëshmitarit Qerimi, e të cilat, duke qenë gjykimi i hapur, ekzistonte rreziku i cenimit të privatësisë së disa personave, bazuar në përgjigjet e këtij dëshmitari.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 shkurt, duke filluar nga ora 9:00.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Të ngjashme