Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se nuk dëshirojnë të ndodhin drama dhe kriza të reja humanitare në asnjë rajon të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nuk duam drama dhe kriza të reja humanitare as në Idlib, as në rajone të tjera të Sirisë”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media pas samitit trepalësh për Sirinë në Soçi të Rusisë në të cilin morën pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin dhe ai iranian Hasan Ruhani.
Erdoğan theksoi se fundi i terrorit është kapitullimi dhe se “organizatat terroriste që shënjestrojnë qoftë vendin tonë, qoftë Iranin, janë të destinuara të humbin”.
Duke folur për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Siria, presidenti turk tha se tërheqja në fjalë nuk duhet të krijojë mundësi për organizatat terroriste.
“Është kusht që kjo të menaxhohet pa krijuar vakum autoriteti i cili do të keqpërdoret nga PYD, YPG dhe DEASH”, tha Erdoğan.
Ai tha se ende është e panjohur se çfarë do të ndodhë në vijim në lidhje me tërheqjen e forcave amerikane, por theksoi se Turqia do të ndjekë hapat në lidhje me këtë çështje.
Erdoğan riafirmoi nevojën për formimin e komitetit kushtetues sirian.
“Dëshirojmë funksionalizimin sa më shpejtë të një komiteti të respektuar dhe stabil në koordinim me OKB-në”, theksoi presidenti turk, i cili paralajmëroi se samiti i pestë trepalësh mes liderëve do të mbahet në Turqi.
– Putin: Zhvillojmë punime për zgjidhjen e krizës në Siri
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se janë duke zhvilluar punime për zgjidhjen e krizës në Siri me një koordinim intensiv, duke shtuar se sot kanë përcaktuar fusha të rëndësishme punimi për zgjidhjen e krizës.
“Zhvillojmë punime për zgjidhjen e krizës në Siri me një koordinim intensiv. Sot përcaktuam fusha të rëndësishme punimi për zgjidhjen e krizës”, tha Putin.
Ai tregoi se procesi i nevojshëm për rindërtimin e Sirisë dhe sigurimin e paqes në këtë vend është arritur falë Rusisë, Turqisë dhe Iranit. “Formimi i zonës jokonfliktuale në Idlib është masë e përkohshme dhe sulmet terroriste nuk do të mbeten të pandëshkuara”, u shpreh ai.
Presidenti rus gjithashtu tha se do të vazhdojnë punimet për sigurimin e paqes së përhershme dhe stabilitetit në Siri.
“Është e rëndësishme që të tri vendet e formatit të Astanas kanë për qëllim të konsolidojnë bashkëpunimin”, theksoi Putin.
Ai theksoi se do të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve humanitare në Siri. “Me OKB-në kemi rënë dakord për mbajtjen e mbledhjeve për Sirinë”, shtoi ai.
Putin, ndër të tjera theksoi se qëllimi kryesor duhet të jetë integriteti territorial i Sirisë, duke theksuar se kjo është e vlefshme edhe për rajonin e Idlibit, edhe për lindjen e Eufratit.
– Ruhani: Vendet garantuese do të vazhdojnë përpjekjet për stabilitetin e Sirisë
Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani, tha se tre vendet garantuese do të vazhdojnë përpjekjet për pakësimin e përleshjeve dhe sigurimin e stabilitetit të Sirisë.
Ruhani, pas Samitit Trepalësh me temë për Sirinë në Soçi të Rusisë, bashkë me homologët e tij turk dhe rus zhvilloi një konferencë të përbashkët për mediat.
“Tre vendet garantuese do të vazhdojnë përpjekjet për pakësimin e përleshjeve dhe sigurimin e stabilitetit të Sirisë”, tha ai.
Ndër të tjerat Ruhani deklaroi se SHBA po transferon një pjesë të anëtarëve të DEASH-it në Afganistan. “Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme për Azinë Qendrore dhe rajonet e tjera”, u shpreh presidenti iranian.
Erdoğan, Putin dhe Ruhani u takuan për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta të zhvilluara në terren dhe brenda procesit politik nga platforma e Astanas, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit sirian.
Samiti i parë trepalësh u mbajt në Soçi në vitin 2017.
Turqia, Rusia dhe Irani janë vende garantuese që ndërmjetësuan një armëpushim në Siri në dhjetor të vitit 2016, duke çuar në nisjen e bisedimeve në Astana të Kazakistanit, të cilat vazhdojnë paralelisht me bisedimet e Gjenevës.
Siria është përfshirë nga një luftë e dhunshme civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit intervenoi ndaj protestuesve me një ashpërsi të papritur.
Që atëherë, qindra mijëra njerëz besohet të jenë vrarë dhe miliona të jenë shpërngulur si pasojë e konfliktit.
Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuza...
Ushtarët shqiptarë nderohen me Medaljen NATO për shërbim të ...
Gjesti i lë një trëndafil Xhenetës pranë kokës
Liverpooli e bën prioritet transferimin e yllit të Brightoni...
Luginasit ankohen për gjoba në kufirin e Kosovës, kryetari i...
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin ...