Sindikata e Shëndetësisë “kërcënon” anëtarët se kush largohet do t’i hiqet shujta e mëngjesit

08:06 | 11 Shkurt 2019
Arbresh.info

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) po i “kërcënon” personat të cilët duan të largohen nga kjo sindikatë duke iu thënë se me rastin e largimit nga Sindikata, do t’u hiqen shujtat e mëngjesit të cilat i marrin shtesë, përveç pagës bazë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Udhëheqësit e FSSH-së për këtë veprim janë duke u mbështetur në nenin 4 të Kontratës Sektoriale Kolektive, e cila thotë se përfitues të beneficioneve të cilët dalin nga kjo marrëveshje e që bazohen në Ligjin e punës janë të gjithë punëtorët shëndetësorë, ndërsa beneficionet/dobitë që dalin nga marrëveshjet e që nuk janë pjesë e Ligjit të punës i gëzojnë vetëm anëtarët FSSHK-së.

Kjo shujtë e mëngjesit nuk ofrohet nga FSSHK-ja, por nga Qeveria e cila u jep 45 euro shtesa në rrogë të gjithë stafit mjekësor për shujtën e mëngjesit.

Neni 54 i Kontratës së Përgjithshme Kolektive, paragrafi i parë thotë se të punësuarve u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës (prej 8 orësh), për ditët e pranisë në punë. Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune, është dy (2) euro, varësisht nga rrethanat dhe mundësitë për rastet konkrete.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme