Google ADS

Guaido zotohet se do t’i hapë rrugët për futjen e ndihmave humanitare në Venezuelë

10:03 | 10 Shkurt 2019
Arbresh.info

Lideri i opozitës së Venezuelës, Juan Guaido, është zotuar se do t’i hapë rrugët për hyrjen e ndihmave humanitare në Venezuelë, duke e kundërshtuar vendimin e qeverisë për bllokimin e kamionëve me ndihma në një pikë kufitare në kufi me Kolumbinë.

Guaido, i cili e ka shpallur veten president të përkohshëm të Venezuelës, u ka bërë thirrje vullnetarëve që të ofrojnë ndihmë për shpërndarjen e ndihmave dhe ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do ta publikojë një plan konkret për këtë çështje.

Në anën tjetër, ushtarët e Venezuelës janë duke e kontrolluar urën që e lidh vendin me Kolumbinë, pranë së cilës po qëndrojnë kamionët e mbushur me ndihma humanitare. Një zyrtar i qeverisë së Venezuelës ka thënë se këto ndihma janë “kali i Trojës” dhe se shteti e ka për detyrë që ta mbrojë kufirin e vet.

“Në bazë të kushtetutës, ne kemi të drejtë ta mbrojmë kufirin në mënyrë paqësore”, tha Freddy Bernal. Ai e akuzoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se po synon ta marrë naftën e Venezuelës.

Miliona njerëz janë zhvendosur nga Venezuela për shkak të inflacionit të lartë dhe problemeve tjera ekonomike, të cilat e kanë vështirësuar sigurimin e ushqimit dhe ilaçeve. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë shtetërore të naftës në Venezuelë, shkruan “BBC”

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme