Pas zgjidhjes së çështjes së emrit dhe nënshkrimit të protokollit me NATO më 6 shkurt, që i hap rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancën ushtarake, ky vend ballkanik tani pret të marrë një ftesë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendëskyreministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, u shpreh me optimizëm për perspektivën e vendit, pasi siç tha ai, zgjidhja e çështjeve politike po krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të vendit.
Zoti Osmani foli edhe për zgjedhjet presidenciale të muajit prill, për të cilat partia shqiptare BDI, ku ai bën pjesë, mbështet idenë e një presidenti konsensual me mirëkuptimin e dy partive kryesore që përfaqësojnë komunitetin maqedon dhe atë shqiptar; por ai nuk përjashtoi dy mundësi të tjera: kandidimin e BDI-së me një kandidati të vetin, si dhe të një kandidati të përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë.
Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, Maqedonia e Veriut nënshkroi të mërkurën protokollin për anëtarësim në NATO, pra është një hap më pranë pranimit në Aleancë. Ç’ndikim mendoni se do të ketë kjo në afat të shkurtër dhe afatgjatë në zhvillimin e Maqedonisë?
Bujar Osmani: 6 shkurti do mbahet mend në historinë më të re të vendit, por edhe të rajonit, për shkak se gjeopolitika po definohet në Ballkan dhe përfundimisht vendi po futet atje ku ka qenë ambicie e shumë gjenratave, të njerëzve këtu – një ambicie plebicitare e qytetarëve të Maqedonisë; kjo garanton stabilitet në vend, në rajon, por edhe mirëqenie ekonomike, meqë parashikueshmëria politike sjell edhe parashikueshmëri ekonomike dhe mundësi për një jetë më të mirë të njerëzve; kjo natyrisht, do të përshpejtojë edhe rrugëtimin drejt BE-së.
Zëri i Amerikës: Zgjidhja e emrit dhe procesi i hyrjes në Aleancën Atlantike, siç thatë dhe ju, do të ketë ndikime pozitive në zhvillimin e vendit. Megjithatë, ngërçi i krijuar për shkak të emrit, ka penguar ardhjen e invesitorëve në Maqedoni. A ka një plan qeveria për tërheqjen e investitorëve të huaj?
Bujar Osmani: Maqedonia ka një potencial të shumtë për investime të huaja, për shkak të pozicioni gjeografik dhe mundësisë për t’i shërbyer rajonit. Kemi parasysh se vetëm me Gjermaninë, për shembull, ne kemi rreth 4 miliardë Euro shkëmbim tregtar në vit dhe këtu Maqedonia shënon suficit, dmth ne më shumë eksportojmë në Gjermani, se sa importojmë. Mirëpo natyrisht, që investitorët e huaj e kanë shumë me rëndësi parashikueshmërinë politike. Ata duan të investojnë atje ku do ketë paqe, stabilitet dhe siguri; tani kemi paralajmërime se në fakt, vetëm në momentin kur u nënshkrua marrëveshja me Greqinë, filluan të merren vendime për investime të huaja; tani, me ratifikimin e protokollit (me NATO-n), do të rriten të gjitha parametrat për Maqedoninë si vend atraktiv për investime; kjo do të garantojë më shumë punësime për njerëzit, do të garantojë paga më të mëdha, standart më të madh jetësor, do t’i ruajë të rinjtë të gjejnë Europën në Maqedoni dhe jo të kërkojnë Europën jashtë…
Zëri i Amerikës: A keni një datë brenda këtij viti për fillimin e negocialateve për anëtarësim në Bashkimin Europian të vendit?
Bujar Osmani: Presim fillimin e bisedimeve këtë vit. 21 qershori është caktuar data e Këshillit të BE-së, ku do të shqyrtohet edhe konfirmimi i datës. Unë jam shumë optimist, se Maqedonia i ka kryer të gjitha detyrimet e veta, si në aspektin e mbylljes së temave politike, duke u shndërruar në një prej vendeve të pakta në rajon, pa asnjë çështje të hapur me fqinjët, por edhe në trajektoren e reformave. Besoj që do kemi argumente të mjaftueshme, të cilat nuk do mund t’i anashkalojë asnjë vend anpëtar i Bashkimit Europian, përkundër hezitimeve që ekzistojnë tek disa vende anëtare, më shumë për shkak të kontesteve të brendshme, të ambjentit paraelektoral për Parlmentin Europian, një lodhje e zgjerimit e kështu me radhë…Por mendoj që ajo që u krijua në Maqedoni me mbylljen e temave të mëdha politike, e cila është aq e fuqishme si narrativ politik, qoftë për rajonin, qoftë për vetë Europën si ide, sa që nuk do të mund ta anashkalojë askush; mendnoj që Maqedonia në 21 qershor do konfirmojë datën dhe në fund të vitit ne do fillojmë bisedimet me BE-në.
Zëri i Amerikës: Në muajin prill në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Partia juaj, BDI, a do të dalë me një kandidat të sajin në këto zgjedhje?
Bujar Osmani: Ne me kohë kemi promovuar konceptin e presidentit koncensual. Këtë e kemi bërë edhe para 5 viteve në zgjedhjet e kaluara presidenciale, për shkak se vlerësojmë se presidenti duhet të jetë faktori i cili i bashkon komunitetet dhe duhet të reflektojë unitetin e më së paku dy komuniteteve më të mëdha në vend. Edhe këto zgjedhje ne mendojmë se duhet të favorizojmë, ose mbështesim konceptin e presidentit konsesnsul, kryesisht ndërmjet dy partive, të cilat kanë vullnetin e dy komuniteteve, LSDM të komunitetit maqedonas dhe BDI të komunitetit shqiptar; por natyrisht, jo kandidatura të imponuara, të njëanshme, por kandidatura që do të dalin nga produkti i dialogut dhe ajo që thashë, ai duhet të jetë reflektim i vullnetit të të dy komuniteteve, për shkak se ai duhet të jetë faktori koheziv i shoqërisë. Mendoj që ende ka kohë, ne i kemi lënë të gjitha opsionet e hapura; mund të shqyrtojmë edhe kandidatura partiake dhe po e bëjmë këtë, por kemi lënë hapësira, që në se krijohen parakushte që dy partitë politike të gjejnë një kandidat që do jetë produkt i vullnetit të dy partive, në fakt të dy komuniteteve që këto dy parti përfaqësojnë, mendoj që kjo do ishte e mirë për Maqedoninë.
Zëri i Amerikës: A ekziston mundësia e daljes së një kandidati të vetëm, të përbashkët nga partitë shqiptare të Maqedonisë?
Bujar Osmani: Është gjithashtu edhe ky një opsion i hapur, edhe pse për momentin të gjitha partitë politike shqiptare po të kenë një kandidat, ai nuk ka mundësi për të fituar, për shkak të mënyrës së organizimit të zgjedhjeve presideciale; mirëpo natyrisht, që mbetet edhe kjo mundësi e bashkëpunimit e hapur. Sidoqoftë, në tre këto drejtime po punojmë; mendojmë që koncepti i presidentit konsensual është më i përshtatshëm për vendin dhe më i mundshëm dhe i kemi lënë hapësirë edhe këtij modeli, jo me zgjidhje të njëanshme, por me mirëkuptimin e dy komuniteteve.
Zëri i Amerikës: Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe tashmë ka hyrë në fuqi. Çfarë vështirësish ka në zbatimin e tij?
Bujar Osmani: Është edhe kjo një datë që do mbetet në historinë e Maqedonisë, 11 janari kur u votuan ndryshimet kushtetuese; 14 janari – miratimi i ligjit për gjuhën shqipe dhe 6 shkurti, nënshkrimi i Protokollit me NATO-n. Presim edhe 21 qershorin për BE-në: katër datat që do të rrumbullakësojnë integrimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Hyrja në fuqi e ligjit për përdorimin e gjuhëve është një parakusht shumë i rëndësishëm i arritjes së barazisë gjuhësore, që ka qenë një prej qëllimeve tona dhe premtimeve tona para elektoratit. Kujtojmë se zbatimi i këtij ligji, i bën më të afërt qytetarët ndaj shtetit, i bën më luajal ndaj shtetit dhe Maqedoninë e bën më të përafruar dhe inkluzive, si shoqëri dhe si shtet. Sfidat do të jenë të shumta, për shkak se vullneti politik, edhe pse është prezent çështja e implementimit praktik, do ballafaqohet me vështirësitë e veta. Fillimisht nga mungesa e infrastrukturës logjistike, teknike dhe njerëzore, deri pastaj tek forma dhe mënyra e qasjes, se si të implementohet ligji; jemi duke bërë përgatitjet e nevojshme, kemi bërë një plan-veprim gjithëpërfshirës. Po konsultohemi edhe me vende të tjera, të cilat kanë implemetuar dy-gjuhësi: Kosova është një shembull i mirë, janë edhe vende të tjera të BE-së, është vetë Komisioni Europian, i cili është një organizëm i madh shumëgjuhësor. Praktika të tilla do na ndihmojnë. Shpresojmë që shpejt do formohet Agjencia për Përdorimin e Gjuhës dhe Inspektorati, të cilat do të kryejnë detyrimet që dalin nga ky plan, që ne si politikë i kemi krijuar.
Zëri i Amerikës: Censusi – regjistrimi i popullsisë, është në plan të realizohet në vitin 2020. Nga shqiptarët ka patur pakënaqësi për përfaqësimin e përqindjes së tyre në raport me popullatën e përgjithshme të Maqedonisë. A do t’i jepte Censusi në zgjidhje përfundimtare këtyre dyshimeve?
Bujar Osmani: Mendoj që Maqedonia ka nevojë për një regjistrim. Në Maqedoni regjistrimi ka kuptim statistikor, por ka edhe kuptim politik, për shkak se sistemi politik bazohet në përqindjen e komuniteteve në shtet; kjo i jep një sensibilitet më të madh procesit. Prandaj është shumë me rëndësi, që përgatitjet të jenë të një niveli të tillë, që besueshmëria pastaj të jetë e padiskutueshme në rezultatet që do të dalin nga regjistrimi. Ne kemi vlerësuar se është mirë të dijmë përqindjen e komuniteteve në vend. Nuk ka nevojë për shqetësime as te shqiptarët, as te komuniteti maqedon. Jemi aq sa jemi; mendoj që do të respektojmë njëri tjetrin dhe do të krijojmë kushte për zhvillim normal të të gjitha komuniteteve. Unë jam optimist, se ky regjistrim do rrumbullakësohet siç duhet dhe qytetarët do të kenë besim në rezultatet e regjistrimit.
ZYRTARE: Mascherano do të jetë trajner i Messit tek Inter Mi...
Nisin punimet për ndërtimin e stadiumit të parë të atletikës...
Jude: Është një goditje e madhe kur një lojtar si Vini lëndo...
Zelensky: Dy civilë u vranë në Sumy nga një sulm rus
Muja: Opozita bën propagandë ndaj Qeverisë Kurti për kontrat...
Netanyahu i kërkon kabinetit të tij ta pranojë marrëveshjen ...