Google ADS

Defektet në Statutin e Trepçës

10:08 | 9 Shkurt 2019
Arbresh.info

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se në Statutin e Trepçës nuk janë përfshirë asetet që kanë qenë në pronësi të saj gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

“Fillimisht nuk kanë qenë të përfshira shtatë asete, të cilat janë identifikuar edhe nga sindikata e punëtorëve të Trepçës, e pas kësaj janë përfshirë këto asete, ky është lajm i mirë. Por, lajmi i keq është se në Statutin e Trepçës nuk janë konsideruar si aset i Trepçës edhe pasuritë e Trepçës apo institucionet tjera, të cilat kanë qenë në pronësi të saj gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, dhe kanë qenë jashtë territorit të Kosovës. Këtu është problemi që nuk janë përfshirë këto asete”, ka thënë ai për portalin arbresh.info.

Sipas tij në këtë statut ka edhe defekte lidhur me konceptimin e aksioneve, që siç tha Konjufca ekspertët e ekonomisë që janë marrë me këtë janë treguar të dobët.

“Për këtë gjë, ne e kemi ngritur këtë problem dhe ia kemi dhënë një letër ku e kemi shpjeguar këtë, Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtorit të Bordit që ishin në komision, mirëpo një problematik e tillë nuk është shtruar kurrë as nga ana e Ministrisë e as në statutin aktual të Trepçës. Dhe, ndonëse statuti i ka disa të mira, ka disa defekte që nëse nuk rregullohen besoj që Trepça do të has në sfida që janë të panevojshme. Pastaj defekti më i madh i këtij statuti ka të bëjë me faktin që ka aty defekte profesionale sa i përket konceptimit të aksioneve. Ekspertët e ekonomisë që janë marr me këtë statut kanë qenë të dobët në kuptimin e njohjes së aksioneve. Çka janë aksionet, çfarë kategorie ekonomike dhe financiare janë aksionet, si funksionojnë ato, si funksionojnë në një shoqëri aksionare e kështu me radhë. Ka kundërshtime aty edhe me ligjet e Kosovës por edhe me ligjet ndërkombëtare, edhe me kontraditat e tregut se si funksionojnë aksionet  dhe ne kemi dhënë vërejtjet tona sa i përket ndryshimeve që duhet të ndodhin”, është shprehur ai.

Konjufca ka thënë se Trepça rrezikohet edhe nga privatizimi njësoj sikurse Telekomi.

“Trepça është e rrezikuar nga vizioni edhe i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe i Qeverisë në përgjithësi lidhur me privatizimin e Trepçës, dhe kjo do të ishte më e keqja. Në njëfarë mënyre statuti nuk e pengon ministrinë që të bëjë ri rregullimin e Trepçës sipas një konceptin tranzitor i cili do të shkonte drejt një privatizimi të mundshëm, dhe kjo neve na shqetëson më së shumti, sepse ky vizion është shpalosur edhe për Telekomin. Nëse një vizion i tillë është i njëjtë edhe për Trepçën do të ishte fatale për interesat zhvillimore të Kosovës”, ka thënë ai.

Kujtojmë që të shtunën në një seancë të rregullt, Kuvendi pas mesnate ka miratuar Statutin e Trepçës me shumicë votash./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme