Statuti i Trepçës nuk përfshinë asetet e Trepçës të cilat gjendeshin jashtë territorit të Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë, si dhe rrezikon privatizimin jo të duhur të kësaj ndërmarrje.
Vendimtare për kalimin e këtij statuti me plotë defekte ishin votat e Partisë Socialdemokrate.
Analisti, Faik Krasniqi, deputetët e PSD-së i ka quajtur “patericë” të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Deputetët e PSD-së e treguan fytyrën e tyre pikë së pari me largimin nga Vetëvendosja. Ata mandatin e deputetit e fituan falë Vetëvendosjes. Edhe Shpend Ahmeti shfrytëzoi rastin që të fitojë edhe një mandat për të udhëhequr Prishtinën, dhe një muaj më pas deklaruan ndarjen nga Vetëvendosja. Sikur të ndaheshin para zgjedhjeve nacionale dhe lokale, do të ishte çdo gjë në rregull. Pjesëmarrja e tyre në dialog me Serbinë, dhe zgjedhja e z.Ahmeti si udhëheqës i delegacionit, por edhe votimi i buxhetit, dëshmoi edhe një herë që këta nuk janë asgjë tjetër veçse patericë e PDK-së, pavarësisht se shesin moral për parime”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se PSD me votën e saj ka rrezikuar ndërmarrjen Trepça.
“Në këtë rast me votën e saj duke rrezikuar një ndërmarrje gjigande siç është Trepça. Për PSD-në me rëndësi është që ky pushtet të ketë jetë sa më të gjatë, sepse e dinë që ky është mandati i tyre i fundit. Interesant do të jetë kur të futen në listë të përbashkët me PDK-në, partinë që deri dje e quanin kriminale, dhe njerëzit e tyre hajna dhe kriminelë”, është shprehur ai.
Analisti politik, Blerim Burjani ka thënë se veprimet e PSD-së janë në mbështetje të PAN-it.
“PSD është në koalicion të pa shpallur ende me PAN, andaj ky koalicion i ri mund të legalizohet shumë shpejt. Veprimet e këtij subjekti janë në mbështetje të vazhdueshme të PAN-it, pra më së miri dhe më se e sinqertë do të ishte deklarimi i këtij subjekti për t’u bërë pjesë e PAN, edhe ashtu PDK i ka ofruar 5 ministri. NISMA mund të mbetet në koalicion, përderisa AAK duhet të largohet me këtë edhe Kryeministri aktual dhe konfuz dhe problematik. Pra mund të ndodhë riformulim i qeverisjes duke u zgjedhur një kryeministër i ri”, ka thënë ai për arbresh.info.
Sipas Burjanit Trepça mbahet me politikë, e jo me raporte ekonomike.
“PSD ka devijuar edhe me politikë të majtë për të cilën thirret, përkrahja e ligjit për paga tregon qartë ku deri 250 mijë të punësuarave në sektor privat që pagat e tyre sillen nga 180 deri ne 300 euro maksimumi, dhe ka përkrahur 83 mijë punëtor që janë të punësuar ne sektorin shtetëror e që paguan nga doganat dhe qytetaret. Trepça herët a vonë shkon në privatizim , nëse ka të interesuar ta blej kush, ky subjekt ekonomik mbahet me politik, por jo me raporte ekonomike”, shtoi ai.
Ndërsa analisti Leon Duhanaj në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se politika kosovarë për qëllim ka luftën për pushtet në vend të mirëqenies së qytetarëve.
“Lëvizjet e fundit politike në vend, kanë sjellë në pah që politika kosovare në masë të madhe nuk ka për qëllim primarë mirëqenien, stabilitetin dhe sovranitetin e vendit, aq sa e ka luftën e pa kompromis për pushtet. Pa marrë parasysh për çfarë bëhet fjalë, ne nuk kemi bashkëpunim serioz dhe konstruktiv politik në vend. Unë, nuk e kam lexuar statutin për Trepçën, por për aq sa shihet, PSD megjithatë ka një qasje me konstruktive karshi nevojave politike të kohës. Kur punohet, mund edhe të gabohet. Por, të refuzosh të punosh është totalisht e gabueshme dhe me e dëmshme”, ka thënë ai.
Sipas tij një pjesë të politikës kosovare çfarëdo që ndodhë komentohet si e gabueshme dhe siç tha ai nuk ofrojnë asnjë alternativë për temat.
“Ne duhet të mësohemi ta kuptojmë demokracinë ku; në njërën anë Qeveria e vendit ka mandat dhe duhet t’i marrë të gjitha përgjegjësitë dhe, në anën tjetër opozita duhet ta korrigjojë punën e qeverisë përderisa paralel ofron ide alternative. Për fat të keq kjo nuk ndodhë në Kosovë. Çfarëdo që të ndodhë kemi dy fronte ku njëra ka një ide përderisa tjetra thotë kjo s’bën.”, ka thënë ai.
Edhe përkundër faktit se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar Statutin e ri për Trepçën, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, thotë se çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
“Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut, ka për qëllim që të gjitha çështjet e hapur ndërmjet dy shteteve, t’i zgjidh nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Kocijançiq.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj duke thënë se BE-së i ka humbur rruga në oborr.
“Është e paprecedent që dikush të komentoj një vendim të tillë me 2/3 e votës. Kjo dëshmon që BE-së i ka humbur rruga në oborr. Brukselit i ka humbur edhe stabilizimi. Kosova i ka kryer punët e saj të brendshme dhe më vjen mirë që ua kemi hequr këtë punë të paktën”, ka thënë ai.
Kuvendi i Kosovës me 80 vota ‘për’ miratoi Statutin e Trepçës, të shtunën. Krerët e shtetit e kanë proklamuar se i hap rrugën drejtë themelimit të Trepça Sh.A. dhe njëkohësisht zhvillimin e këtij gjiganti ekonomik. /V.Berisha/arbresh.info
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”