Google ADS

Gjykata Speciale me urdhra antikushtetues, avokati Artan Qerkini jep detaje

21:49 | 8 Shkurt 2019
A. B.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese dje e kanë shpallur vendimin për masë të parakohshme për kërkesën e Mahir Hasani.

Parashtruesi i kësaj kërkese, avokati i tij Artan Qerkini më 15 janar 2019 i kishte paraqitur kërkesën Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, ku kishte bërë ankesë ndaj urdhrit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili cenonte të drejtën e Hasanit për të heshtur, duke qenë kështu në kundërshtim edhe me privilegjin e mosinkriminimit të vetvetes dhe pezullimin e pafajësisë.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, në bazë të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, kishte caktuar një panel të Dhomës Kushtetuese i përbërë nga gjykatësja An Pauer-Ford, kryetare dhe gjykatësit Vidar Stensland e Roland Dekers, ku kishin diskutuar lidhur me vendimin e dhomës për kërkesën avokatit Qerkini.

Parashtruesi i Kërkesës ishte mbështetur në nenet 30(6) dhe 31(5) të Kushtetutës dhe në nenin 6(2) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

“Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ka vendosur që të pezullojë përkohësisht urdhrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, sepse në këtë vendim thuhet se ky urdhër seriozisht mund të cenoj të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut lidhur me klientin tonë. Në bazë të një urdhri të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, nga klienti im është kërkuar që ai me rastin e intervistimit të tij në Hagë, të sjellë me vete dokumente, prova tjera material, skica, fotografi, albume apo prova të ngjashme, sepse nëse nuk vepron në këtë mënyrë atëherë mund t’i nënshtrohet disa sanksioneve procedurale. Me të identifikuar këtë urdhër, të njëjtin e kam konsideruar si në kundërshtim me Kushtetutën, por jo vetëm, edhe në kundërshtim me jurispodencën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut, rrjedhimisht kam vendosur që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë me një peticion kushtetues, me anë të të cilit kam kërkuar që fillimisht ky urdhër të pezullohet, e pastaj edhe definitivisht të shfuqizohet dhe të konstatohet se ai bie ndesh me një sërë dispozitash të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në fakt urdhri në fjalë, sipas mendimit tim, shkelë një sërë të drejtash të garantuara me Kushtetutë. Në radhë të parë cenon parimin e prezumimit të pafajësisë, pastaj në mënyrë të padrejtë e zhvendos barrën e të provuarit nga Prokuroria te i pandehuri dhe krejt në fund e shkelë privilegjin e mosinkriminimit. Të gjitha këto të drejta garantohen me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane, por gjerësisht janë të zbërthyera edhe në vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Po në fakt, ne për disa ditë do ta kemi intervisitimin në Hagë së bashku me klientin tim, dhe rrjedhimisht pra prokurori nuk do të ketë të drejtë që të kërkojë atë që e ka kërkuar në bazë të urdhrit, sepse ky urdhër është pezulluar nga Dhoma Kushtetuese e Dhomave të Specializuara, pastaj Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë me trajtimin e rastit ku definitivisht do ta marrë një vendim në lidhje me këtë çështje”, ka thënë avokati Qerkini për RTK.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme