Komandanti i KFOR-it i shqetësuar pas deklaratave të Bahtirit e Rakiqit për luftë

14:56 | 8 Shkurt 2019
Arbresh.info

Komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’Adario, ka reaguar lidhur me deklaratat për luftë, të përdorura nga kryetari i pjesës Jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri si dhe nga nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

D’Adario është shprehur i shqetësuar për retorikën që po përdoret në Kosovë, duke paralajmëruar se vetëm një fjali e vetme mund të jetë një shkëndijë për ndezjen e një problemi të madh. Në një intervistë për Radio Kontakt +, komandanti i KFOR-it ka folur edhe rreth marrëveshjes finale me Serbinë dhe transformimin e FSK-së në ushtri.

“Gjëja për të cilën jam shumë i shqetësuar është retorika që po përdoret, sepse vetëm një fjali e vetme mund të jetë një shkëndijë që mund të dërgojë në probleme shumë më të mëdha, prandaj unë në mënyrë konstante apeloj tek të gjithë, te qytetarët, që të jenë të kujdesshëm, që të mos shkaktojnë pasoja të mëdha me fjalët e tyre”, ka thënë ai.

Ndërkohë i pyetur rreth situatës së krijuar pas miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, D’Adrio ka thënë se është vetëm një ushtarak, dhe këto janë vendime politike. Megjithatë, komandanti i KFOR-it ka zgjedhur të flas për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke pranuar se ekziston një momentum për të gjetur një zgjidhje. “Në bisedat që kam pasur me eprorët e mi, komandantin e NATO-s dhe komunitetin ndërkombëtarë, një gjë është e sigurt që ka një momentum që mund të dërgojë në një zgjidhje politike të situatës, dhe duhen lëvizje të mira të bëhen gjithashtu. Shpresoj që përfaqësuesit do të shfrytëzojnë momentin për të zgjidhur këtë situatë në mënyrë që të përfitojnë të gjithë, sidomos të rinjtë”, ka shtuar D’Adrio.

Në këtë intervistë ai gjithashtu ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri të Republikës së Kosovës.

“Para se gjithash duke iu referuar këtij transformimi, është një proces që do të zgjas 10 vjet, dhe në këtë moment, gjërat nuk kanë ndryshuar që nga 13 dhjetori i vitit të kaluar, një ditë para transformimit, dhe një ditë pas”, është shprehur komandanti i KFOR-it. D’Adario ndërkohë ka thënë se duhet njerëzit të mbahen larg deklaratave të pa nevojshme për këtë proces. “Nëse mund të shtoj, kam biseduar me palët përgjegjëse në të dy anët, dhe mund të them se janë duke punuar për të sqaruar dhe reduktuar të gjitha keqkuptimet për të gjithë procesin”, ka shtuar ai.

Komandanti i KFOR-it ka thënë se mandati i këtij misioni buron nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, dhe bazuar në këtë Rezolutë, do të vazhdojnë të garantojnë sigurinë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, derisa kjo të kërkohet dhe të jetë e nevojshme. “Nuk mund të ketë dialog, nëse nuk ke siguri dhe paqe në terren.

Misioni ynë është duke e siguruar këtë, dhe mendoj se jemi jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë proces”, ka përfunduar komandanti i KFOR-it, Alesandro D’Adrio./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme