Google ADS

Këshilli i Evropës i shqetësuar për politikat migratore të Italisë

12:35 | 8 Shkurt 2019
Arbresh.info

Komisionerja e Këshillit të Evropës përgjegjëse për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviq, ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me mënyrën se si Italia i trajton migrantët në tokë dhe në det, raporton Aadolu Agency (AA).

Në një letër adresuar kryeministrit italian, Giuseppe Conte, Mijatoviq thotë se ndjen keqardhje për shpejtësinë me të cilën njerëzit transferohen nga një qendër në një tjetër në Itali.

“Me keqardhje shprehem për shpejtësinë e dukshme të këtyre transferimeve, për çka shqetësimet e mia kanë të bëjnë me mundësinë që këto transferime të minojnë përpjekjet e mira nga vitet e kaluara të bëra nga shërbimet lokale për integrimin dhe rehabilitimin e tyre”, tha Mijatoviq.

“Jam shumë e shqetësuar për disa masa të marra së fundmi, të cilat pengojnë dhe kriminalizojnë punën e OJQ-ve, të cilat kanë një rol vendimtar në shpëtimin e jetëve në det, siç janë ndalimi i zbarkimit në portet italiane, dhe heqja dorë e autoriteteve nga përgjegjësia për operacionet e kërkim-shpëtimit, me të cilat duket se nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të mbrojnë migrantët nga trajtimet çnjerëzore dhe degraduese”, shtoi ajo.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatë, më shumë se 2.240 njerëz vdiqën ose u zhdukën në det në vitin 2018, ndërsa përpiqeshin të arrijnë në Evropë nëpërmjet Mesdheut.

Në letrën e saj, Mijatoviq i kërkoi Contes të sigurojë që të drejtat e njeriut të personave të shpëtuar në det, të mos vihen në rrezik asnjëherë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme