300 organizata joqeveritare kundërshtojnë ligjin e ri për OJQ

09:23 | 8 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ligji i ri për Organizatat Joqeveritare i miratuar në nëntor të vitit të kaluar, po kundërshtohet nga shoqëria civile. Sipas Taulant Hoxhës, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, ligji i ri për OJQ-të nuk është i mirë dhe i njëjti nuk është dekretuar edhe nga presidenti. Ai tha se nëse ligji kalon në Kuvend pa u ndryshuar, atëherë Kosova bëhet vendi i parë në botë që lejon që pasuria e OJQ-ve, të bartet në biznese private.

“Rregulli bazë në të gjithë botën është që pasuria e OJQ-ve mbetet në OJQ. Më 7 nëntor, dispozita e cila e përkufizon ndarjen e pasurisë kur një OJQ shuhet, është ndryshuar. Me herët ka qenë OJQ-ja e shuar mund t’ia falë pasurinë një OJQ-je tjetër të ngjashme, ndërsa tash është shkuar fjala “ose institucioneve”, e kjo nënkupton që pasuria mund të bartet edhe tek institucionet private, qofshin edhe biznese ato”, theksoi Hoxha.

Vetëm pak ditë pas miratimit, ky ligj që po kundërshtohet nga shoqëria civile, u kthye në Kuvend nga presidenti, i cili nuk e dekretoi atë, pasi që sipas Zyrës së presidentit Thaçi, nëntë nene të këtij ligji ishin në kundërshtim me nenin 44 të Kushtetutës.

Taulant Hoxha, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, thekson se nëse ligji kalon në lexim të tretë, pa u marrë parasysh rekomandimet e shoqërisë civile dhe shkeljet e konstatuara nga presidenca, atëherë Kosova mund të bëhet vendi i parë në botë që lejon që pasuria e OJQ-ve, të bartet në biznese private. Me këtë, sipas Hoxhës, do të legalizohej vjedhja e miliona eurove nga OJQ-të mikrofinanciare.

“Ata ka vite që e kërkojnë një mundësi ligjore për t’u transformuar në biznese private, edhe pse kjo gjë është problematike dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese të viti 2013 është ndaluar. Do me thënë: nuk lejohet që një OJQ të transferohet në biznes privat. Kapitali i tyre i deklaruar është 161 milionë euro, dhe nëse ligji nuk ndryshohet është rrezik që këto mjete të tjetërsohen”, tha Hoxha.

Për ligjin që po del të jetë antikushtetuese në Kuvendin e Kosovës u diskutua më 30 janar, ku pas një debati të gjatë, deputetët u dakorduan që të organizohet një ekspertizë për të vërtetuar pretendimet e kryetarit të Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasanit, ato të presidentit Hashim Thaçi, në lidhje më përmbajtjen e ligjit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme