Google ADS

Babai i pacientes i reagon kirurgut në Prizren: “Nuk të thash t’i bërtasësh vajzës”

16:44 | 7 Shkurt 2019
Arbresh.info

Të martën e kësaj jave Indeksonline ka raportuar lidhur me një rast të ndodhur në Klinikën Kirurgjike të Spitalit të Prizrenit.

Kirurgu Rrahim Ymeri në një video/incizim dëgjohej teksa fyente pacienten e cila ishte bërë operacion nga ai pas dhimbjeve që pati nga ‘Apendeisi’ apo njohur ndryshe si ‘Zorra Qorre’.

Doktori nuk hezitoi që pacientes t’i referohej me zë të lartë dhe madje me fjalë fyese.

“Majmune, boll më, nuk më intereson që ke dhimbje”, ishin vetëm disa prej fjalëve të thëna nga kirurgu në drejtim të pacientes V.Q.

Por pas kësaj, doktori Ymeri deklaroi se ishte pikërisht babai i vajzës ai i cili kishte kërkuar që ai t’i bërtas vajzës me arsyetimin se do ta qetësojë pacienten.

“Është e vërtetë që unë kam përdorur fjalor pak të ashpër, por ky fjalor është bërë me kërkesë të babait të pacientes, i cili nga unë ka kërkuar që të kem ton më të ngritur që pacientja të jetë me qetë dhe të dëgjohen këshillat, e në atë kohë babai i pacientes ka qenë në korridor”, është shprehur kirurgu nga Prizreni.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar babain e vajzës, Z.Q , emër i njohur për redaksinë i cili ka mohuar një gjë të tillë.

Babai i vajzës ka deklaruar se asnjëherë nuk i ka kërkuar doktorit që t’i bërtas vajzës, madje nga ai kishte kërkuar që të kujdesej mirë për të.

“Nuk është e vërtetë, nuk ia kam thënë atë gjë kurrë mjekut. Unë i kam thënë ndihmoj, kujdesu për të. Atë natë që asaj i kanë filluar dhimbjet në bark, ajo ka qenë te motra e vetë, më kanë thirr në telefon hajde se vajza është smut, në spital. Pastaj vajza është bë operacion, pasi që është kryer operacioni na jemi kon aty edhe mjeku më ka tregu që është kry me sukses, edhe e kam lut me u kujdes për vajzën, asnjëherë nuk i kam thënë bërtit”, ka thënë babai i pacientes.

Tutje ai ka shtuar se jo ai, por asnjë prind nuk do të kishte kërkuar një gjë të tillë nga një doktor.

“Jo unë, po asnjë prind nuk kish me i thanë. Unë tashmë e kam fal atë, ja kom bo hallall ama unë apo cilido prind nëse kish qellu në ato momente aty dhe mjeku ish sjell në atë mënyrë do të kishim reagu ndryshe, shyqyr Zotit që nuk kam qenë aty e ajo nuk e ka pas gjendjen më ma në rrezik. Pra, masi është kry operacioni kur e kam taku në spital i kam thënë bëj kujdes, por jo me i bërtit. Unë i jam lut si prind, me shpresën se i ndihmon assesi ndryshe. Unë nuk kam fëmijë me gjuajt në bërllok, besoj askush nuk ka”, ka shtuar ai.

Ai tha poashtu se tashmë puna i takon shtetit të merret me doktorin në fjalë.

“Pra unë nuk kam punë me ta, ka punë shteti. Janë intervistu gruaja e çika, unë kam bisedu me policinë iu kam tregu gjithçka. Unë veç ia kam qel rrugën me e ndihmu vajzën, asnjëherë me ma ofendu vajzën. Edhe apet ia kom bo hallall, u duft me ma respektu vajzën,  nuk është dashtë me ma ofendu”, ka përfunduar Z.Q. Duhet përkujtuar se për rastin në fjalë tashmë Prokuroria e Prizrenit ka hapur hetime, ndërsa reagimet lidhur me këtë rast ishin të shumta, ndër to edhe shumë qytetarë të tjerë të cilët tregonin raste të ngjashme nëpër klinikat kosovare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme