Ajo që thuhet nën zë nga bankierët, bizneset, ekspertët e kursit të këmbimit, apo dhe individët, se nuk ka lekë në qarkullim edhe pse ekonomia po rritet me ritme relativisht të kënaqshme prej mbi 4%, tashmë vërtetohet edhe nga të dhënat zyrtare. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, paraja gjithsej në qarkullim në fund të vitit 2018 arriti në 1.26 trilionë lekë, duke shfaqur tendencë rënëse në raport me vitin e mëparshëm, me minus 3 miliardë lekë, ose me rënie prej 0.2%. Ndonëse tendenca rënëse është e lehtë, ky është viti i parë, të paktën që nga 2002-shi, kur raportohen të dhënat, që ky tregues vjen me rënie, pas rritjes minimale të vitit të mëparshëm (2017).
Sipas Bankës së Shqipërisë, që i referohet të dhënave deri në nëntor, ecuria e këtij treguesi reflekton nga njëra anë efektin statistikor të mbiçmimit të monedhës vendase ndaj monedhave euro dhe usd, dhe nga ana tjetër ndryshimet strukturore të mbajtjes së parasë, ku zhvendosja e depozitave në maturitete mbi dy vjet ka qenë e pranishme gjatë gjithë vitit. Rregulluar për këta dy faktorë, treguesi i parasë së gjerë tregon për një rritje mesatare rreth normës 2%. Nga ana tjetër, krijimi i ulët i parasë në ekonomi, reflekton financimin ende të dobët të sektorit privat me mjete monetare nga sektori bankar, pohon Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare.
Një tjetër shpjegim lidhet me ecurinë e dobët të depozitave në lekë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kursimet në lekë në fund të 2018-s arritën në 456 miliardë lekë, me një rënie prej 3.7% (-17.5 miliardë lekë), me bazë vjetore.
Ekspertët e kursit të këmbimit kanë pohuar vazhdimisht se një nga arsyet e forcimit të vazhdueshëm të lekut dy vitet e fundit lidhet pikërisht me qarkullimin e dobët të tij. Monedha vendase ka fituar mesatarisht 10 lekë gjatë dy viteve të fundit. Në 2018-n, euro u këmbye mesatarisht me 127 lekë, ndërsa në 2016-n, kursi mesatar ishte 137.4 lekë. Edhe aktualisht euro mbetet e nënçmuar duke u këmbyer në rreth 124-125 lekë.
Por, si shpjegohet që ndonëse ekonomia po përshpejton ritmet e rritjes, normat e interesit janë në nivele minimum historike (norma bazë është 1%) ndërsa paraja në qarkullim po bie?
Teoritë ekonomike në fakt sugjerojnë të kundërtën: “Një rritje në ofertën e parasë zakonisht ul normat e interesit, e cila, nga ana tjetër, gjeneron më shumë investime dhe vendos më shumë para në duart e konsumatorëve, duke stimuluar kështu shpenzimet. Bizneset përgjigjen duke porositur më shumë lëndë të para dhe duke rritur prodhimin. Zgjerimi i aktivitetit të biznesit rrit kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë nëse oferta e parasë bie ose rritja e saj ngadalësohet”.
Dr. Selami Xhepa, eksperti i ekonomisë dhe dekan në Fakultetin Ekonomik, UET, ka pohuar më herët për Monitor se zhvillimet monetare i duken befasuese dhe krejt të pazakonta. Ai thotë se rënia e masës monetare ka vetëm një shpjegim: rënien ekonomike. Sipas tij, rënia e masës monetare është kundër logjikës së nevojave të një ekonomie që kërkon politika ekspansioniste monetare. “Historia na tregon shumë shembuj kur kufizimi monetar, pra pakësimi i ofertës monetare ka shkaktuar rënie të ekonomisë dhe recesion ekonomik”, shton ai.
Një tjetër zhvillim paradoksal është se ndërsa paraja gjithsej po bie, ajo jashtë bankave po rritet, një tregues ky i informalitetit të shtuar dhe në të kundërt të tendencës globale që po shkon drejt një ekonomie pa cash. Në fund të vitit 2018, jashtë bankave qarkullonin 275.3 miliardë lekë, sa 21.9% e parasë gjithsej, niveli më i lartë në Europë (mesatarja e eurozonës është rreth 9%, ndërsa në rajon treguesi luhatet në 7-10%). Ky është niveli më i lartë i parasë jashtë bankave që nga viti 2009, kohë kur u shënua një tërheqje e depozitave si rrjedhojë e frikës së krijuar nga kriza globale.
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...