Baras në Camp Nou, finalisti mes rivalëve të El Clasicos vendoset në Bernabeu

22:55 | 6 Shkurt 2019
Arbresh Info

Barcelona dhe Real Madridi kanë barazuar me rezultat 1 me 1 në El Clasicon e sotme (e mërkurë) në Camp Nou.

Dy gjigantët spanjoll janë ndarë në paqe në takimin e tyre të parë në tempullin e skuadrës katalunase të zhvilluar në kuadër të gjysmëfinales në Kupë të Mbretit, shkruan portali arbresh.info.

‘Los Blancos’ arritën të realizojnë të parët në këtë takim duke shënuar me anë të anësorit Lucas Vazquez në minutën e 6′ pas një super asistimi nga sulmuesi Karim Benzema.

Pjesa e parë e kësaj super ndeshje me një numër të madh aksionesh nga të dy palët përfundoi me rezultat 0 me 1 në favor të mysafirëve, ndonëse “Blaugranët” arritën të godasin shtyllën e portierit Keylor Navas pas një rivënie këndore.

Nikoqirët arritën të barazojnë shifrat me anë të sulmuesit të ri brazilian Malcom (57′) që shënoi pas disa përpjekje të njëpasnjëshme nga skuadra e tij drejtë portës.

Superylli Lionel Messi, i cili e nisi ndeshjen në bankinë dhe u inkuadrua në fushë në minutën 64′, nuk arriti të bëjë ndonjë ndryshim ndonëse krijoi një super pasim te Luis Suarez gjatë minutave të fundit të ndeshjes.

Nga ana tjetër, Gareth Bale humbi një shans të artë gjithashtu gjatë minutave të fundit të takimit.

Ndeshja kthyese mes rivalëve të El Clasios zhvillohet në Bernabeu më 27 shkurt./arbresh.info/

Të ngjashme