Shefi i Zyrës për Koordinimin e Procesit te Mbrojtjes Juridike e të Akuzuarve Potencialë nga Gjykata Speciale, Driton Lajçi, ka thënë se gjenocidi që ka bërë Serbia në Srebrenicë, Kroaci, e në fund edhe në Kosovë, janë fakt i ditur botërisht.
Në një intervistë për Epicenter.bg, ka theksuar se shteti i Serbisë ka vrarë mbi 13 mijë e 500 civilë shqiptarë, ka dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare, një milion shqiptarë ka dëbuar, 40 për qind të infrastrukturës ka shkatërruar si dhe 400 masakra kundër shqiptarëve. Për të gjitha këto krime, Lajçi ka thënë se nuk ka as të akuzuar dhe as të dënuar
Ndërsa, duke folur për Gjykatën Speciale, Lajçi ka theksuar se pavarësisht miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ajo është imponuar nga faktorët politikë gjeostrategjikë.
Z. Lajçi, gjatë luftës, në vitet ’90, u kryen shumë krime kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë. Mund t’ia prezantoni publikut bullgar faktet e përgjithshme?
Lajçi: Për agresionin e Serbisë mbi Srebrenicën, ish-vendet e Jugosllavisë dhe, së fundi, sulmet e Serbisë mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë, është fakt botërisht i njohur. Pasoje spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë ishte arsyeja e ndërhyrjes ushtarake të NATO-se mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë. Shteti i Serbisë ka vrarë mbi 13 500 civilë shqiptarë, ka dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare, një milion shqiptarë ka dëbuar, 40 për qind të infrastrukturës ka shkatërruar si dhe 400 masakra kundër shqiptarëve. Për të gjitha këto krime nuk ka as të akuzuar dhe as të dënuar.
Ende shumë njerëz, përfshirë fëmijë, mungojnë. Si po shkojnë bisedimet me Serbinë për fatin e personave të pagjetur dhe a do të bisedohet për këtë temë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?
Lajçi: Kjo është temë që, sa herë përmendët dhe kujtohet, dhemb shumë. Institucionet e Kosovës, edhe OJQ-të, vazhdimisht e kanë ngrehur zërin për një angazhim më konkret dhe për rezultate më konkrete nga organet e Serbisë që të japin informacione për vendndodhjen e personave të zhdukur. Autoritetet e Serbisë nuk kanë bashkëpunuar mirë as me institucionet e Kosovës, po as me institucionet ndërkombëtare. Për arsye se dhënia e informacioneve për vendndodhjen e varrezave masive automatikisht adreson në përgjegjësinë penale ndaj kryesve.
Para disa vjetësh u krijua e ashtuquajtura Gjykatë Speciale. A mund të na tregoni për organizimin dhe qëllimet e Gjykatës Speciale?
Lajçi: Dhomat e Specializuara dhe Prokurori Special, e quajtur ndryshe Gjykata Speciale, ka për qëllim t’i hetojë pretendimet se a janë kryer krime lufte në Kosove gjatë viteve 1998, 1999, 2000 nga ana e shqiptarëve. Edhe pse Gjykata nuk e potencon aspektin etnik, mirëpo pretendimet e raportuesit te Këshillit te Evropës z.Dick Marty i japin karakter etnik. Këtë gjykatë e ka themeluar Kuvendi i Republikës së Kosovës, së cilës i ka paraprirë Rezoluta e Këshillit të Evropës mbi bazën e raportit të senatorit Dick Marty. Pavarësisht se e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, ajo është imponuar nga faktorët politikë gjeostrategjikë. Gjithashtu, ky është shembull i praktikës juridike ndërkombëtare ku percepcionet publike, dokumentet publicistike të njëanshme, të vendosin para aktit të kryer dhe mbi atë bazë është krijuar detyrimi që të themelohet gjykata.
Ju e organizoni punën për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë nga kjo Gjykatë. Cilat janë sfidat më të mëdha në punën tuaj?
Lajçi: Zyra jonë e themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës Kosovës, e koordinon dhe mbikëqyr procesin e mbrojtjes juridike, mbështetjen ndaj familjeve të personave që janë subjekt i akuzës nga Gjykata Speciale. Ne nuk kemi alternativë tjetër pos të mbrohemi në aspektin juridik. Debati politik dhe diplomatik ka mbaruar. Tashti është koha për mbrojtje efikase, të bazuar në argumente të cilat, sigurisht, do të adresohen me gjuhën e fakteve nga të dyshuarit dhe nga mbrojtësit e tyre. Kauza e Kosovës ka qenë liria. Rebelimi përmes rezistencës aktive paqësore dhe lufta guerile e luftëtarëve të lirisë te udhëhequr nga UÇK-ja ishin përpjekje për liri, paqe, Kosovë të pavarur dhe barazi për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.
Sipas jush, kur mund të priten rezultate reale nga puna e Gjykatës Speciale?
Lajçi: Meqë jam jurist nuk mund t’i paragjykoj rezultatet në aspektin kohor dhe përmbajtjesor. Megjithatë, një numër i figurave të dalluara të shoqërisë sonë tashme ka kaluar nëpër proceset gjyqësore për krimet e luftës, ku subjekt i hetimeve kanë qenë shqiptarët e Kosovës. Janë hetuar dhe disa janë dënuar nga misioni i OKB-së në Kosovë, Tribunali për ish-Jugosllavi i Hagës, misioni i BE-së dhe gjykatave të Kosovës. Pra, një vend të vogël si Kosova dhe disa gjykata që 20 vjet, shto edhe tash Gjykatën Speciale. Çka është shumë është shumë.
Në një takim që kisha me kryetaren e Gjykatës Speciale, znj. Trendavilova, ajo ka potencuar se proceset gjyqësore do të jenë profesionale, të paanshme, të pavarura nga çdo agjendë politike, me një kuadër të gjykatësve profesionalë, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Andaj edhe Lidershipi i vendit ka ftuar për bashkëpunim me Gjykatën Speciale.
Cili institucion merret me përndjekjen e kriminelëve serbë të luftës dhe si po zhvillohet procesi?
Lajçi: Përgjigjja ime në pyetjen ishte me shifra konkret për vrasje të civilëve shqiptarë, dhuna ndaj femrave, shkatërrime të shtëpive dhe 400 masakra kundër shqiptarëve. Ende nuk ka asnjë aktakuzë për këto krime të kryera
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...