Manastirliu qetëson qytetarët: Nuk ka grip derri, as epidemi gripi

09:18 | 5 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka qetësuar sot qytetarët duke thënë se në vend nuk ka grip derri, dhe as epidemi gripi.

Pas tre rasteve të konfirmuara të vdekjeve nga gripi, Manastirliu e ftuar në studion e ABC News, ka thënë se janë siguruar vaksinat falas për kategoritë në risk dhe ka bërë apel të mos neglizhohen simptomat e gripit.

“Shqipëria ka një qarkullim me intensitet mesatar të gripit, por nuk jemi në epidemi”.
Manastirliu tha se bëhet fjalë për virusin stinor, jo grip derri, i cili prej 10 vitesh është transformuar në grip sezonal.

“Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për vaksinën e gripit duke e ofruar falas për atë pjesë të popullatës më të riskuar, të moshuarit, gratë shtatëzëna, personel shëndetësor”, tha Manastirliu.

Nderkohe mesohet se 100. 000 doza vaksinash janë vënë në dispozicion dhe deri tani është realizuar në masën 80 % vaksinimi, që është shumë efikas sepse ul komplikacionet.

Komplikacionet nga gripi gjatë muajit Janar, kanë shënuar 3 viktima tek persona të prekur nga një grup sëmundjesh, kurse janë rreth 200 raste me grip të konfirmuara nga analizat e Institutit të Shëndetit Publik dhe 19.000 personat me infeksione respiratore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hapur 4 qendra shëndetësore 24 orëshe në Tiranë, për të përballuar urgjencat pediatrike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme