Mbi 100 faqe aktakuzë e 489 dëshmitarë të propozuar, fillon gjykimi për mashtrim nga shkolla profesionale DBBS, në Prizren.
Prokuroria Speciale në aktakuzën voluminoze, në të cilën janë 489 qytetarë si të dëmtuar, ka propozuar që të gjithë të dëgjohen para trupit gjykues.
Në seancën e sotme, Prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu dhe avokatët Bashkim Nevzati, Durim Nevzati, Miftar Qelaj e Pjetër Përgjoka nuk arritën të merren vesh rreth deklaratave të palëve të dëmtuara.
Disa nga të dëmtuarit kanë dhënë deklarata vetëm para Policisë e disa edhe pranë prokurorisë speciale, por prokurori dhe avokatët, nuk arritën në një pikë të marrëveshjes, që deklaratat e të dëmtuarve të lexohen dhe vetëm të jepen vërejtjet nga palët.
Në këto rrethana, trupi gjykues do të veprojë sipas propozimit fillestar të prokurorisë, për të ftuar e për t’u dëgjuar që të gjithë 489 të dëmtuarit, në cilësi të dëshmitarit.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale i ngarkon të akuzuarit Flamur Hoxha e Besim Rexhaj se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175.00 euro dhe nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775.00 euro.
I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangie nga tatimi.
Ndërsa i akuzuari tjetër Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Me fillimin e shqyrtimit gjyqësor, filloi dëgjimi i të dëmtuarve.
Sot u paraqitën 6 dëshmitarët e parë, e munguan edhe disa të tjerë, pasi që kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani tha që ka njoftime se janë larguar nga vendi, apo edhe janë të panjohur në adresa ku po u dërgohen ftesat.
Dëshmitarët Besart Gucati, Mentor Zymeraj, Valdrit Tarashaj, Arlinda Berisha, Herolind Binakaj, Artan Gashi u paraqitën para trupit gjykues të përbërë edhe nga anëtarët Fidan Hoxha e Alia Fazlija.
Të njëjtit dëshmitarë, të cilët janë edhe të dëmtuar financiarisht nga shumat 500 e deri në 3.000 euro deklaruan se ndihen “të dëmtuar e edhe të mashtruar”.
Dëshmitarët në pyetjet e prokurorit e avokatëve, tregonin se si kanë ndjekur trajnime të ndryshme deri në 8 muaj për profesione e zanate të ndryshme, por në përfundim nuk kishin arritur të pajiseshin me viza pune për në Gjermani, pasi që shkolla profesionale DBBS ishte mbyllur, e nuk kishin arritur të merrnin edhe kontratat e punës bashkë me viza, raporton Kallxo.com.
Mbrojtësit e të akuzuarve kishin vërejtje në pyetjet që i parashtronte prokurori special pasi që, sipas tyre, të akuzuarit nuk kanë lëshuar as viza pune, e as nuk kanë garantuar marrjen e vizës, por vetëm kanë ofruar shërbime me trajnime profesionale, e ndërmjetësim për gjuhë e aplikim për viza.
Por kundërshtimet dhe vërejtjet të shumta i kishte mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Bashkim Nevzati, i cili kërkoi ndërprerjen e paraburgimit për klientin e tij.
Sipas avokatit, tashmë kanë pushuar të gjitha arsyet ligjore dhe se klientit të tij “po i shkelen të gjitha të drejtat njerëzore”.
Avokati tha gjithashtu se qëndrimi i Flamur Hoxhës në paraburgim po krijon vështirësi për ta përgatitur mbrojtjen efikase.
“Andaj edhe qëndrimi i tij në arrest shtëpiak nuk do të ndikojë aspak negativisht, sepse i njëjti është i interesuar që kjo çështje të merr epilog sa më shpejt”, tha avokati.
Por kërkesën e mbrojtësit e kundërshtoi prokurori special Afrim Shefiku, i cili tha se “me qëndrim në liri i njëjti mund të arratiset duke marrë për bazë peshën e veprës penale”.
Sipas prokurorit special, i akuzuari edhe më herët ka pasur një rast në këtë gjykatë dhe ishte shpallur fajtor për veprën penale të përdorimit të armës, lëndim i lehtë trupor.
Ai tha se kjo vepër ka të bëjë pikërisht me një konflikt me disa individë që kishin marrë shërbime po në shkollën profesionale DBBS, ku i akuzuari Hoxha ka qenë pronar.
Por pretendimet e prokurorit krijuan edhe përplasje fjalësh.
Avokati Bashkim Nevzati ashpër e kundërshtoi pretendimin e prokurorit.
“Në deklarimin e prokurorit ka shkelje flagrante, pse gjithnjë prokurori në kundërshtim po manipulon me të kaluarën e të akuzuarit Flamur Hoxha”, tha avokati Nevzati.
“E kjo paraqet shkelje të të drejtave të Flamur Hoxhës, ngase e kaluara e tij nuk mund të manipulohet në këtë rast”, shtoi ai.
Por kryetari i trupit gjykues Osmani, i qetësoi palët por e refuzoi kërkesën e avokatit Nevzati për ndërprerjen e paraburgimit.
Ai tha se Hoxha do të mbetet në paraburgim deri në fund të muajit shkurt për të vendosur më tej me vendim të posaçëm.
Gjatë muajit shkurt janë të përcaktuara edhe 4 ditë tjera për mbajtjen e shqyrtimeve gjyqësore, në të cilat do të vazhdohet dëgjimi i dëshmitarëve tjerë.
Kjo çështje që zhvillohet në Gjykatën Themelore Prizren është duke u zhvilluar në bazë të aktakuzës të prokurorisë speciale, si një nga lëndët e shënjestruara për liberalizimin vizash.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren me qëllim të përfitimit për vete dhe persona tjerë, pasi që më parë kanë pranuar mjete monetare të shumta dhe duke i mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke përfituar me anën të veprës penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve nga secili i dëmtuar shumën prej 2.500 – 3.000 euro, ku numri i të dëmtuarve është 489, të njëjtit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fonde në fjalë, transferuar ato te personat tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme shtëpi dhe banesa.
Haradinaj sot shpalos programin e partisë para diasporës në ...
Nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Eksperti i gjuhës së trupit tregon momentin e saktë kur duel...
Ushtria izraelite lëshon urdhra të reja evakuimi për Bejruti...
Moti sot në Shqipëri
AKK: Buxheti 2025, i pamjaftueshëm për komunat