Google ADS

Kryeministri Haradinaj shkarkon Rikallon (VENDIM)

08:30 | 2 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shkarkuar Ministrin e Bujqësisë Nenad Rikallo për t’i hapur rrugë miratimit të buxhetit për vitin 2019 në seancën e planifikuar të Kuvendit të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për portalin arbresh.info zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, duke thënë se në këto momente është duke u marr vendimi.

“Po për pak”, është shprehur ajo kur është pyetur për shkarkimin e ministrit Rikallo.

Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe ministri Lekaj për arbresh.info.

“Sot kryeministri Ramush Haradinaj do ta shkarkoj ministrin Rikallo. Nuk do të ketë ndonjë mbledhje të Qeverisë për këtë vendim. Ai vetëm do të shkarkohet nga kryeministri Haradinaj”, ka thënë Lekaj.

Ndër të tjera Lekaj tha se kjo është njëra nga kërkesat e deputetëve të Partisë Socialdemokrate , të cilët e kanë kushtëzuar votën e tyre për buxhetin me plotësimin e kësaj kërkese.

Me këtë rast do të plotësohen katër nga pesë kushtet që partia opozitare Partia Socialdemokrate i kishte parashtruar në dhjetor të vitit të kaluar për Qeverinë e Kosovës.

Ndërsa sot në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë seancën e  radhës ku pritet të votohet Ligji për Buxhetin dhe për Pagat.

Rendi i ditës:

1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura,

2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publik,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256,

6. Propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019,

8. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin nr.06/L-20 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018,

9. Shqyrtimi i Propozim-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme