Stuhia e acarit përfshinë SHBA-në, temperaturat shkojnë deri në minus 46 gradë

13:07 | 30 Janar 2019
A. B.

Një vorbull e ajrit nga Arktiku ka përfshirë Shtetet e Bashkuara duke zbritur temperaturat në atë masë, sa autoritetet paralajmërojnë ngrirjen e shpejtë të njerëzve nëse qëndrojnë në ambient të jashtëm.

Midwest është rajoni më i goditur përderisa temperaturat zbritën në minus 18 gradë në Çikago, minus 21 në Detroid dhe minus 29 gradë në Mineapolis.

Videot lokale treguan lumin e Çikagos dhe liqenin e Miçiganit të mbushur me copa akulli.

Shpërthimi brutal i njohur si vorbull polare është një rrymë e ajrit të ftohtë që rrotullohet rreth stratosferës mbi Polin e Veriut, por rryma e të cilit është ndërprerë dhe tani po shkon në jug në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët paralajmërojnë banorët e Çikagos, të mësuar me dimrat e ftohtë, të presin një ngrirje jashtëzakonisht të thellë dhe të rrezikshme.

“Kjo ndoshta mund të jetë histori”, tha Ricky Castro, një meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit në Romeoville, Illinois.

Jim Hayes, një meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit, paralajmëroi se ngrirja ishte e mundur brenda 10 minutash në ftohje intensive.

Shumë qytete kanë hapur strehimore ngrohëse. Qeveritë rajonale mbyllën qindra shkolla dhe linjat ajrore anuluan më shumë se 2,000 fluturime, sipas faqes së fluturimit Flightaware.

Disa autobusë u shndërruan në strehimore të ngrohjes për t’u mundësuar të pastrehëve të mos qëndrojnë në rrugët e Çikagos.

Një temperaturë e ulët prej minus 23 gradë celsius ishte parashikuar në Çikago dhe qytete tjera të mërkurën. Por, me erërat gjatë pasdites, temperaturat mund të arrijnë deri në minus 46 gradë celsius, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit.

“Këto (kushte) vërtetë janë një rrezik për shëndetin publik dhe kemi nevojë për ta trajtuar në mënyrë të përshtatshme”, tha kryetari i Çikagos, Rahm Emanuel, transmeton rel.

Guvernatorët në Illinois, Uisconsin dhe Miçigan, deklaruan gjendje emergjente.

Të paktën katër viktima u shënuan nga moti i acartë, duke përfshirë edhe një person që u godit nga një rrëzim bore në zonën e Çikagos, dhe një njeri që u gjet i ngrirë për vdekje në një garazh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme