Limaj dhe Ahmeti ia prezantojnë BE-së ligjin për dialogu

09:11 | 30 Janar 2019
V. S.

Bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror për Bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, të martën në Bruksel e kanë prezantuar ligjin për dialogun, i cili pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, dje kanë zhvilluar një takim në Bruksel me zyrtarë të Bashkimit Evropian nga zyra e përfaqësueses së lartë Federica Mogherini, ku ndër të tjera u diskutua lidhur me modalitetet e mëtejshme se si do të vazhdojë dialogu mes Kosovës e Serbisë.

Në këtë takim pala kosovare shpalosi edhe ligjin për dialogun, i cili pritet shumë shpejt të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian pas këtij takimi thanë për radion “Evropa e Lirë” se BE-ja e bashkëkryesuesit e dialogut nga Prishtina kanë rishikuar përparimin e arritur deri më tani në normalizimin e raporteve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarët e BE-së thanë po ashtu se “bashkëkryesuesit nga Prishtina kanë ofruar të dhëna rreth zhvillimeve të fundit, duke përfshirë edhe ligjin për dialogun dhe punën e Komisionit, i cili po punon në platformën për dialog. BE-ja mirëpret përpjekjet e tyre për të çuar përpara mandatin e Kuvendit të Kosovës drejt një pozicioni më unifikues në koordinim të ngushtë me të gjitha trupat kushtetues”, kanë thënë këta zyrtarë. /zëri.info/.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme