Kuvendi i Kosovës kohëve të fundit ka plotësuar dhe ndryshuar një varg ligjesh. Këtyre ndryshimeve iu ka nënshtruar edhe Kodi i Drejtësisë për të Mitur.
Kodi i ri i Drejtësisë për të Mitur, i cili u miratua në Kuvend, është paraparë të hyjë në fuqi 15 ditë nga publikimi në Gazetën Zyrtare.
Ky Kod u publikua në gazetën zyrtare më 18 tetor 2018, dhe hyri në fuqi gjatë muajit nëntor 2018, ku njëkohësisht edhe e shfuqizoi Kodin e Drejtësisë për të Mitur, i cili ishte në fuqi deri në atë periudhë.
Mirëpo, një gabim i ligjvënësit bëri që ligjërisht Kosova të mbetet përkohësisht pa Kodin e Drejtësisë për të Mitur pasi e ka paraparë që Kodi i ri të fillojë të zbatohet 6 muaj pas hyrjes në fuqi që i bie që ky Kod të fillojë zbatimin në maj të këtij viti ndërsa Kodi me të cilin rregullohej drejtësia për të mitur është shfuqizuar në momentin e hyrjes në fuqi, pra në nëntor të vitit 2018.
Fakimilja e Gazetës Zyrtare që tregon shfuqizimin e Kodit të Drejtësisë për të Mitur
Lidhur më këtë çështje, Kallxo.com ka kontaktuar me profesorin e të drejtës penale, Ismet Salihun.
Salihu tha se mund të jetë bërë ndonjë gabim dhe se për momentin kemi Kod të Drejtësisë.
“Ata nuk e kanë këqyrë hiç, ose nuk din me shkru ose e kanë marrë shabllon. Nuk jemi pa Kod, është gabim i Zyrës Ligjore. Ky kod hyn në fuqi pas gjashtë muajve prej momentit kur është shpallur në Gazetë Zyrtare”, tha profesori.
Portali kontaktoi edhe me kryetaren e Komisionit parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiun, e cila tha se tani për tani është duke u zbatuar Kodi i vjetër i Drejtësisë për të Mitur.
“Neni 140 është dispozitë shfuqizuese pra ka shfuqizuar Kodin 03/L193. Mirëpo neni 141 flet për fillimin e zbatimit të Kodit te ri. Në këtë kuptim ka shtyrë për 6 muaj zbatimin e tij. Sipas interpretimit tim i bie se deri në hyrjen në fuqi të Kodit të ri, zbatohet Kodi vjetër. Nuk ka si të jetë ndryshe”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se nuk ka qenë pjesë e grupeve punuese dhe nuk ka më shumë informacione rreth kësaj.
Lidhur me këtë rast foli edhe avokatja Albana Kelmendi.
Ajo tha se për momentin Kosova nuk ka Kod të Drejtësisë për të Mitur.
“Konsideroj që në këtë kohë kur jemi duke biseduar nuk kemi Kod për të Mitur që e rregullon çështjen e procedurës ndaj të miturve. Nuk kemi Kod të Drejtësisë për të Mitur në fuqi për shkak se janë dy dispozita që thonë se Kodi i ri hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare ndërsa zbatimi i tij fillon gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi, kurse me një tjetër dispozitë thuhet se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Kodi paraprak shfuqizohet”, tha avokatja Kelmendi.
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
Pacolli sot mban takim humanitar në Gjermani
Parashikimi i motit për ditën e somte
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...