Italia vendos kushte për migrantët që të zbresin nga anijet

18:31 | 29 Janar 2019
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Italisë, njëherësh ministër i Brendshëm i atij vendi, Mateo Salvini, deklaroi të martën se do të lejojë 47 migrantë të parregullt nga anija humanitare gjermane Sea Watch 3, të zbresin në tokën italiane, por vetëm në mënyrë të kushtëzuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Do t’i lejoj të zbarkojnë në Itali vetëm nëse ata pastaj shkojnë në Holandë e cila i kishte dhënë flamurin e saj anijes gjermane ose në Gjermani, nga i cili vend është OJQ-ja humanitare. Ne tashmë kemi pranuar një numër të madh migrantësh për të cilët kemi shpenzuar shumë”, tha Salvini në një prononcim për mediat.

Organizata bamirëse “Sea Watch”, në fillim të këtij muaji tha se ka shpëtuar nga ujërat jashtë Libisë në një gomone, 47 migrantë nga të cilët tetë të mitur.

Në gusht të vitit 2018, Salvini refuzoi të pranonte mbi 100 migrantë të shpëtuar nga rojet bregdetare, duke refuzuar që ata të zbresin nga anija Diciotti.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) tha se në vitin 2018, mbi 2.240 njerëz vdiqën ose u zhdukën në det, gjatë përpjekjes për të arritur në Evropë nëpërmjet Mesdheut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme