Ministri Tahiri merr mbështetje nga homologia e tij franceze që t’i bëhet presion Serbisë për të pagjeturit

14:30 | 28 Janar 2019
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se personat e zhdukur nga lufta në Kosovë, janë plagë e rëndë jo vetëm për familjarët por për gjithë.

Në një status në rrjetin social facebook, Tahiri ka treguar se ka marr mbështetje nga Ministrja e Drejtësisë e Francës, Nicole Belloubet, për të shtuar presionin ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të jap çdo informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur.

Statusi i plotë:

Personat e zhdukur nga lufta në Kosovë, janë plagë e rëndë jo vetëm për familjarët por për gjithë shoqërinë tonë dhe kjo temë që rëndon mbi supet tona duhet të marrë një epilog. Në referencë të kërkesës sime drejtuar homologëve të vendeve të Bashkimit Evropian, për të shtuar presionin ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të jap çdo informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur, sot kam pranuar një letër nga Ministrja e Drejtësisë e Francës, znj. Nicole Belloubet, përmes së cilës kam marrë mbështetje të plotë dhe të tërësishme në kërkesën time. Jam tejet falënderues ndaj Ministres Belloubet që iniciativa ime ka gjetur mbështetje të gjerë dhe me këtë rast, sërish ftoj vendet e Bashkimit Evropian për ta trajtuar me prioritet këtë çështje të rëndësishme për shoqërinë tonë. Gjithashtu ftoj shtetin serb që të reflektojë seriozisht dhe të marrë përgjegjësitë e veta ndaj kësaj kërkese. Kjo nuk duhet parë si temë politike, por si një përkushtim mbi bazën e humanizmit, sepse është e drejtë themelore e familjarëve për të ditur mbi fatin e më të afërmeve të tyre dhe Republika e Serbisë ka përgjegjësi ndaj kësaj çështje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme