Google ADS

Thaçi paralajmëron vendime të rëndësishme ditëve në vijim

18:26 | 27 Janar 2019
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ditët në vijim institucionet kosovare do të marrin vendime që do të qojnë në forcimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.

Thaçi përmes një postimi në facebook ka shkruar gjithashtu se institucionet janë në shërbim të arritjes së qëllimeve strategjike shtetërore, shkruan arbresh.info.

“Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore”, ka shkruar Thaçi.

I pari i vendit ka shkruar gjithashtu se marrëveshja do të përshpejtonte anëtaresimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB.
“Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së.”, ka përfunduar Thaçi.
Ndryshe pak minuta më parë Thaçi ka bërë një tjetër postim në facebookn përmes së cilit e ka thumbuar kryeministrin e vendit, Ramush Haradinajn.

Ai ka shkruar se “bora ka zënë të shkrihet shpejt”.

“Uroj të mos bëhet skllotë”, ka vazhduar presidenti.

Reagimi i Thaçit vjen disa ditë pas deklaratave të kryeministrit Haradinaj, i cili kur është pyetur për mundësinë e heqjes së taksës ndaj Serbisë, pas presionit të ShBA-së, thoshte se “bora do të shkrihet”./Arbresh.info/

Lexo edhe: Thaçi thumbon Haradinajn: Bora ka zënë të shkrihet shpejt

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme