Dyfishohet numri i lëmoshë kërkuesve në Kosovë, gjysma e tyre fëmijë

09:05 | 27 Janar 2019
A Z

Rreth 600 persona në Kosovë jetojnë nën mëshirën e kalimtarëve. Çdo mëngjes fëmijë, gra e burra zëne cepet e rrugëve dhe ‘orari i punës’ për ta shpesh herë nuk përfundon as me perëndimin e diellit. E numri i qytetarëve që fitojnë bukën e gojës duke shtrirë dorën është dyfishuar.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar arbresh.info, në viti që lamë pas numri i lëmoshë kërkuesve ishte afër 600.

“Në vitin 2018 janë identifikuar 557 persona, në vitin 2017- 351 persona dhe në vitin 2016-465 persona”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

E rreth dyfishimit të këtij numri Vebi Mujku, njohësi i çështjeve sociale, për arbresh.info ka përmendur disa nga arsyet.

“Për dyfishimin e numrit kanë ndikuar disa faktorë, si pa mundësia e grumbullimit të tyre dhe vendosja në një qendër rehabilitimit dhe trajtimi, kalimi i kufirit pa pengesë edhe në rastet kur kanë ndonjë ndalesë nga gjykata, kufizimi kohor i mbajtjes së tyre në stacione policie, pa mundësia konfiskimit të mjeteve të grumbulluara nëpër rrugë, shërbimet sociale të dobëta për trajtimin e këtyre rasteve, vetëdije e ulët e qytetarëve të cilët kontribuojnë përmes dhënies së lëmoshës tek këta persona me theks të veçantë fëmijët, reagimi i ngadalshëm i gjyqësorit në vendimmarrje etj”, ka thënë ai.

Mujku ka shtuar gjithashtu se në të shumtën e rasteve mbrapa fëmijëve lëmoshë kërkues qëndrojnë abuzues.

“Vetëm prezenca e fëmijëve në këtë mot të ftohtë, të zbathur e të veshur hollë, të shtrirë në rrugë në pako apo drejt në beton, është tepër shqetësues. Fëmijët të cilët bredhin rrugëve dhe kërkojnë lëmoshe apo shesin gjëra tjera, pothuajse të gjithë janë nën përcjelljen e prindërve apo ndonjë personi tjetër nga farefisi apo fqinjë të cilët abuzojnë me këta fëmijë. Shumica e tyre nuk vijojnë shkollimin dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat afatgjatë që i presin në të ardhmen. Njëkohësisht këta fëmijë janë edhe viktimë e prindërve të papërgjegjshëm, të cilët e meritojnë dënime adekuate për keqtrajtimin e fëmijëve”, ka shtuar ai.

Ndërsa Mujku ka përmendur edhe disa hapa që duhet ndërmarrë në zvogëlimin e këtij numri.

“Fillimisht duhet të themelohen brenda Komunës ekipe multidisiplinare me përfaqësues të policisë, punëtorit social, inspektoratit të punës dhe përfaqësues nga shoqëria civile, dhe një prokuror në pritje për trajtimin e rasteve me urgjencë. Ky ekip duhet të jetë i mirë përgatitur, të posedoj informata të mjaftueshme për shërbimet në dispozicion si dhe të ketë një vend të adekuatë të ngrohtë me mundësi ushqimi, veshmbathje për intervistim dhe trajtim. Në rast se fëmija është pa përcjellje edhe për akomodim. Gjithashtu një kontroll më e madhe në pika kufitare për personat të cilët vinë nga Shqipëria, për qëllimin e hyrjes në Kosovë dhe përcjelljen e tyre. Një bashkëpunim me shkolla për të evidentuat se cilët fëmijë nuk po vijojnë mësimin dhe të lajmërohen Institucionet gjegjëse në parandalim të braktisjes së shkollës dhe gjithëpërfshirës së tyre në mësim. Nuk duhet përjashtuar edhe bashkësitë fetare të cilat mundë të kontribuojnë në këtë aspekt”, ka përfunduar ai.

Gjysma e lëmoshë kërkuesve, fëmijë

E rreth gjysma e lëmoshë kërkuesve në Kosovë ose saktësisht 205 lëmoshë kërkues ishin fëmijë.

Kështu thuhet në të dhënat e Policisë së Kosovës.

“Numri i fëmijëve lëmoshë kërkues të identifikuar në Kosovë gjatë 2018-es është 205. Këta fëmijë referohen në Qendra për Punë Sociale për procedura të mëtejme ndërsa në të shumtën e rasteve i përkasin komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas, duke mos përjashtuar edhe të nacionalitetit shqiptarë por edhe serbë”, thonë nga Policia e Kosovës.

E për këtë nga koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve “ KOMF”, kanë thënë për arbresh.info se është shqetësuese dhe shkelen të drejtat e fëmijëve.

“Çështja e fëmijëve në situatë rruge të cilët punojnë dhe kërkojnë lëmoshë, është një dukuri mjaft shqetësuese të cilën KOMF prej kohësh është duke e adresuar karshi institucioneve të Kosovës duke bërë thirrje që të ndërmerren masa sa më të shpejta për largimin e tyre nga rruga. Fëmijët në situatë rruge të cilët punojnë apo kërkojnë lëmoshë janë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim. Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe jetën e tyre. Këtu nuk bëjnë përjashtim as fëmijët dhe foshnjat e ekspozuara në temperatura të ulëta. Fëmijët kërkojnë lëmoshë edhe gjatë orëve të vona të natës, duke e vënë veten përballë rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit”, thonë nga KOMF.

Nga ky koalicion kanë thënë se është bërë shumë pak për largimin e fëmijëve nga rruga.

“Në Janar të vitit 2018 KOMF publikoi Indeksin për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, një mjet monitorues mbi përpjekjet e qeverisë për të ofruar mbrojtje për fëmijët. Bazuar në matjet e Indeksit, në lidhje me veprimet për të mbrojtur dhe siguruar kujdesin për fëmijët që punojnë në rrugë, Kosova ka arritur 0.158 nga totali i mundshëm prej 1.0. Ky rezultat deri më tani përbën rezultatin më të ulët që Kosova ka arritur në mesin e të gjitha fushave të tjera të matura nga Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0. Kjo dëshmon se në fakt shumë pak përpjekje dhe iniciativa janë ndërmarrë për të zbutur këtë dukuri dhe për të larguar fëmijët nga rruga. Kosova si shtet nuk po e trajton çështjen e fëmijëve që punojnë në rrugë dhe në të njëjtën kohë nuk po ndërmerr iniciativa për të mbrojtur fëmijët”, kanë shtuar nga KOMF.

Ndërsa Rexhep Gojnovci, drejtor Ekzekutiv i organizatës rinore “Akti”, lëmoshë kërkesën e ka quajtur kancer të fëmijëve.

“Fenomen jashtëzakonisht shqetësues, me parametra te mëdha drejt rritjes, një kancer i cili po dëmton fëmijët, në çdo aspekt te zhvillimit te tyre, kjo statistike ne mendojmë qe nuk do koment kjo kërkon veprim, sepse nëse numri i tyre ne 2018 ka qene me i madh se ne 2017, atëherë nëse ne nuk marrim masa sigurisht qe ne 2019 do te jete akoma me i madh. Janë apo nuk janë fëmije, fenomeni i lëmosh kërkimit është jashtëzakonisht shqetësuese, por me vete faktin qe gjysma e tyre janë fëmije atëherë kjo është me shqetësuese. Ne si organizate ne baze te hulumtimeve tona qe kemi bere del se numri i fëmijëve lëmosh kërkues është jashtëzakonisht i madh dhe se këta fëmijë dëmtohen ne shumë aspekte”, ka thënë Gojnovci.

Ai ka shtuar gjithashtu se kjo dukuri është e pranishme edhe në vendet më të zhvilluara ekonomikisht.

“Këtu nuk mund te flasim për zhdukje, sepse si fenomen është jashtëzakonisht kompleks dhe zhvillohet në çdo vend të botës, madje edhe ne ato me te zhvilluara ekonomikisht. Ne dëshirojmë te quajmë ketë “mbajtje nen kontroll te fenomenit, çka nënkupton kjo te kemi një strategji nacionale, e cila do te vendoste objektiva te qarta dhe do te vinte ne funksion gjithë mekanizmat institucional te cilit do nivel, te punohet me shume me prindër te atyre fëmijëve qe konsiderohen si fëmijë të Kosovës, ndërsa për ata jashtë territorit të Kosovës te punohet me ngushtë me institucionet atje. Te punohet edhe me qytetarë ne mënyre qe ata të vetëdijesohen se dhënia e lëmoshës për fëmijë është me shume dëmtim i tij sesa një ndihmës materiale”, ka shtuar Gojnovci.

E se dukuria e lëmoshë-kërkuesve lidhet ngushtë me zhvillimin ekonomik e thotë edhe Mustafë Kadriaj, njohës i çështjeve ekonomike.

Kadriaj në një prononcim dhënë arbresh.info ka thënë se niveli i ulët zhvillimit ekonomik në vend ka ndikuar në numrin e lëmoshë kërkuesve.

“Vendet me nivel te zhvillimit siç është Kosova janë të atakuara me ketë dukuri po ashtu edhe rajoni nuk është me mirë nga aspekti i zhvillimit ekonomik ku kemi edhe nga rajoni që kërkojnë lëmosh. Pra niveli i ulet i zhvillimit ekonomik e them ketë përkundër qe kemi rritje ekonomike investimet dhe te mirat e shtetit nuk i prekin të gjitha shtresat duke bërë qete kemi diferencim të jetuarit tek qytetarët e Kosovës. Dhe si rezultat i keq qeverisjes në vend edhe mbas dy dekada çlirim dhe një dekade shtet ne ende po vendnumërojmë ndoshta edhe kthim mbrapa”, ka thënë Kadriaj.

Ai po ashtu ka thënë se edhe korrupsioni është një shkaktar tjetër.

“Duhet të i kujtojmë opinionit dhe institucioneve që qytetari i Kosovës ka qenë dhe edhe altruist dhe ndan të mirën dhe të keqen me njeri-tjetrin por keqqevrisja dhe korrupsioni enorm kanë bëre që qytetaret të mos kenë besim tek institucionet në vend që të jenë përkrahës në aktivitetet humane me ketë dua te përkujtoj qe qytetari i Kosovës ka mbajt arsimin paralel për dhjet vite ne vitet e 90-ta si dhe përkrahjen e luftës së UÇK-së. Po ashtu kemi rastin e aktivistit Halil Kastrsti qe si rezultat i korrektësi duke krijuar besim tek qytetaret qe sot sfidon organet relevante duke ndikuar ne ngritjen e mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë ai.

E Kadriaj ka propozuar që të bëhet një plan për përmirësimin e gjendjes ekonomike të kësaj kategorie.

“Me ketë dua te potencoi institucionet duhet te marrin hapa konkret ne ngritjen e besimit tek qytetarët që së bashku si vend të bëjmë më shumë ngritjen e mirëqenies së kësaj kategorie duke vepruar si institucione duke investiguar gjendjen e secilit qytetarë dhe të ndikojë të përmirësojnë jetën e tyre sepse edhe për qytetarët është bere e bezdiseshe dalja me veturë ose në këmbë duke u përballur me ketë kategori sepse nuk mund të lëvizësh apo po ashtu nuk dihet se ato mjete financiare se ku shkojnë. Pra tani e tutje institucionet në bashkëpunim me aktivist dhe organizata joqeveritare të bëjnë hulumtim dhe te behet një plan për përmirësimin e gjendjes ekonomike të kësaj kategorie”, ka përfunduar ai.

Ndryshe nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se Prishtina është qyteti me numrin më të madh të lëmoshë-kërkuesëve në vend./Agnesë Çitaku/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme