KEDS thotë se Trepçës dhe Mitrovicës i është rikthyer normaliteti me energji

21:02 | 26 Janar 2019
A. B.

I është kthyer normalitetit energjia elektrike në ndërmarrjen Trepça dhe në qytetin e Mitrovicës.

Problemet me rrymë në këtë ndërmarrje dhe në Mitrovicë kishte që nga 22 janari për shkak të djegies së një trafostacioni në Trepçë.

Përmes një komunikate për media KEDS’i thotë se është kyçur edhe linja e tretë e furnizimit për Mitrovicën.

“Tashmë e tërë Mitrovica ka energji elektrike. Kjo, pasi është kyçur edhe linja e tretë e furnizimit për këtë qytet. Aktivizimi është arritur falë rifuknsionalizimit të linjës që derivon nga një trafo e vjetër e Trepçës e cila ishte jashtë funksionit. Ekipet e KEDS-it kanë kyçur lidhjen 35 kV, ekipet e KOSTT’it linjën 110 kV dhe Trepça ka ofruar trafon”, thuhet në komunikatë.

KEDS’i shton se para tri ditësh si rezultat i një pune të jashtëzakonshme në Mitrovicë ishin krijuar dy linja furnizuese për këtë qytet dhe fshatrat përreth, duke përfshirë edhe Trepçën.

“Kjo ishte arritur falë 90 punëtorëve të KEDS’it dhe 30 punëtorëve të kontraktuar nga kompania, të cilët kanë arritur në afat rekord të krijojnë lidhjen e Mitrovicës si nga ana e Vushtrrisë, ashtu edhe nga nënstacioni i Vallaqit në veri të vendit. Ekipet e KEDS kanë arritur që të instalojnë brenda ditës rreth 2000 metra përçues 95 mm dhe 400 metra kabllo nëntokësore. Të njëjtën ditë janë vendosur 12 koka kabllovike dhe material tjetër përcjellës, të cilat kanë bërë që të funksionalizoheshin njëherësh dy linja të reja 35 kilovoltëshe, të mjaftueshme për furnizim të Mitrovicës me rrethinë”, thuhet në komunikatë.

Por, pasi KEDS kreu të gjitha punët, riaktivizimi i linjës së Vallaqit ishte i pamundur për shkak të procedurave teknike që nuk janë përgjegjësi e kompanisë. Kjo kishte bërë që furnizimi të bëhej vetëm nga nënstacioni i Vushtrrisë që siguronte energji për rreth 85 për qind të qytetarëve, pasi transformatori i KOSTT’it nuk kishte kapacitete më tepër.

Por, falë riaktivizimit të linjës së tretë, ky problem është tejkaluar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme