KQZ: Zgjedhjet po zvarriten!

14:58 | 25 Janar 2019
Arbresh.info

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk e fsheh shqetësimin për zvarritjen e Reformës Zgjedhore, kur kanë mbetur pak më shumë se 5 muaj nga vota e 30 qershorit.

Pilotimi i elektronikës duhej të ishte risia kryesore, por ditët që ikin vështirësojnë aplikimin: “Koha është shumë e rëndësishme, kërkohen një sërë aktesh që duhet të dalin nga KQZ-ja, burime financiare, burime njerëzore që e vështirësojnë. Nëse ligjvënësi do të ketë arsye dhe do të merret vesh për ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, KQZ do të bëjë maksimumin e vet”.

Situata politike në vend po i ngjason gjithnjë e më shumë asaj para zgjedhjeve të vitit 2017, kur një marrëveshje Rama-Basha solli regjistrimin në garë të partive opozitare në shkelje të afateve. Klement Zguri paralajmëron se nuk ka ndërmend ta përsërisë më këtë skenar.

“Domosdoshmërisht duhet që partitë politike të respektojnë afatet dhe procedurat që ligji u ngarkon, kjo është e patolerueshme dhe nëse do të ketë raste të tilla, këto duhet të reflektohen në ligj, në Kodin Zgjedhor, pasi kjo është e vetmja rrugë dhe mundësi që KQZ-ja të vazhdojë më pas me vendimmarrjet e saj”, tha Zguri.

Depolitizimi i administratës zgjedhore është një tjetër ide e hedhur nga partitë, por kryetari i KQZ-së duket më realist dhe ka një kërkesë për kë dëshiron mbarëvajtjen e procesit: “Minimalisht duhet që t’i hiqet e drejta diskrecionale partive politike për t’i zëvendësuar në çdo moment. Është absurde pasi të gjitha përpjekjet e KQZ-së për të trajnuar administratën shkojnë në zero për shkak të zëvendësimeve krejt të papranueshme dhe në momente aq decizive të procesit”.

Aktualisht, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i mungojnë dy anëtarë që duhet të propozohen nga opozita./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme