Veliu takon krerët e policisë italiane, diskutojnë për krijimin e njësisë “FAST”

10:36 | 25 Janar 2019
Arbresh.info

Forcimi i bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, shkëmbimi i informacionit në kohë reale, bashkëpunimi dhe bashkërendimi në realizimin e operacioneve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit kanë qenë në fokus të bisedimeve të kreut të policisë së shtetit Ardi Veliu dhe drejtuesve të policisë italiane gjatë takimeve që pati me ta në vizitën dy ditore që zhvilloi në Itali.

Siç bën me dije zyra për shtyp e policisë së shtetit, “në takimin me Drejtorin e Sigurisë Publike, njëkohësisht Shefi i Policisë italiane Prefekti Franco Gabrielli, Veliu mori mbështetje të pakursyer në të gjitha aspektet për Policinë Shqiptare”.

Veliu gjithashtu, zhvilloi një takim në Drejtorinë e Policisë Kriminale me Prefektin Nicolino D’ Angelo, Zëvendësshefi i Policisë italiane dhe Drejtor Qendror i Policisë Kriminale.

Gjatë vizitës, kreu i policisë shqiptare zhvilloi një vizitë në Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale, ku u takua më kreun më të lartë të këtij Shërbimi Gjeneral Giuseppe Spina, i cili e shoqëroi personalisht Delegacionin e Policisë Shqiptare në ambientet e Zyrës ENFAST.

Aty panë nga afër se si janë strukturat dhe si funksionin Zyra ENFAST dhe njësia FAST, pasi në kuadër të iniciativës së Projektit Ipa 2017, po mbështet mundësinë e krijimit edhe në Policinë Shqiptare të një njësie të tillë analoge.

Gjatë vizitës në ambientet e kësaj Drejtorie, delegacioni shqiptar pati mundësinë të shikojë nga afër edhe ambientet e sallës operative ndërkombëtare, dhe funksionimin e saj.

Në fund, Rizzi e shoqëroi personalisht Z. Veliu për një vizitë në ambientet e Policisë Shkencore, ku u panë nga afër se si funksiononte ky sektor dhe u bë një demonstrim i arritjeve shkencore dhe futjes së teknologjive të reja nga policia italiane në këtë sektor./ora news

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme