Greva e mësimdhënësve që po kërkojnë ngritje të koeficientit të pagës ka hyrë në ditën e nëntë.
Kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Kosovës, Agnesa Qerimi, ka treguar se a e mbështesin ose jo nxënësit këtë grevë.
“Këshilli i Nxënësve të Kosovës është një strukturë joformale e cila ka në përbërje një numër të madh të shkollave, praktikisht i ka të gjitha shkollat e mesme dhe aty përfaqësohen me nxënësit përfaqësues, kryesisht me kryetarët e shkollave ku herë pas here diskutojmë dhe veprojmë mbi tema të ndryshme”.
“Për këtë rast [greva në arsim], Këshilli i Nxënësve nuk është me asnjërën palë sepse ky Këshill ka kohë që është veç me ngritjen e cilësisë së arsimit në vend sepse nxënësit, pa marrë parasysh çfarë po ndodh brenda arsimit në vend, janë ata që po dëmtohen më së shumti”.
“Dëmtimi po na vjen me vet faktin e mungesës së nxënësve në shkolla të cilët duhet të vazhdojnë të marrin mësimin sepse kështu do të mbesin shumë prapa”.
Qerimi në Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se në sistemin arsimor në Kosovë ka shumë probleme.
“E lexova dhe e pashë që dje është arritur marrëveshje mes protestuesve të Los Angeles në Amerikë të cilët kanë pasë pak a shumë kërkesat e njëjta me mësimdhënësit në Kosovë”.
“Mësimdhënësit në Los Angeles kanë protestuar për ngritjen e pagave dhe kanë kërkuar që të shtohen punëtorë mjekësorë në shkolla, mësimdhënës që i ndihmojnë nxënësve të kenë orientim në biblioteka – ne nuk po kërkojmë gjëra të tilla sepse realisht jemi shumë larg”.
“Realisht çfarë i kemi bërë ne cilësisë së arsimit në vendin tonë, gjithmonë përgjatë krejt këtyre viteve ne jemi marrë me maje Ajsbergësh, pa u fokusuar për të arritur te qëllimi – që arsimin ta bëjmë prioritet në vendin tonë – që pastaj do t’i rregullonte gjërat tjera që i kërkojmë”.
“Ne kemi shumë probleme në arsim, por gjithmonë kapemi për një ose dy probleme të caktuara, si testi PISA, testi i maturës e të tjera, në vend se të mbledhim forcat dhe gjatë krejt kohës, qoftë edhe me protesta, të lobojmë për një arsim më cilësor që do të na sillte kushte më të mira”.
“Për nxënësin tonë nuk është problem greva por që ua kemi gërditë shkollën. Nisemi prej momentit kur një nxënës është në klasë dhe duhet të ballafaqohet me një infrastrukturë të dobët, mospraktikim të teorive që marrin, me mësimdhënës të pakualifikuar, kurse private, tekste të papërditësuara me gjuhë seksiste dhr raciste, mungesë të teksteve dhe metodave atraktive, mjedis të pasigurtë në shkolla dhe të tjera”.
Ajo ka përmendur edhe problemet që greva, rrjedhimisht mungesa e mësimit, për një kohë të gjatë i sjellë nxënësve.
“Sipas vitit kalendarik, i bie që janë 186 ditë mësimi të plota. Nëse heqim 30 ditë që kanë festa zyrtare dhe ndërlidhja e festave, me një analizë të thjeshtë na del që nga muaji shtatori deri në muajin qershor, nxënësit nuk shkojnë në shkollë për një muaj”.
“Pra, nëse heqim festat, kemi 146 ditë mësimi për kokë nxënësi me katër orë të plota mësim, nëse heqim pushimin e gjatë dhe atë të shkurtër”.
“Tash kemi plus 10 ditë grevë. A po presim që ky nxënës të dalë i mirë prej shkollës? Jo, ky nxënës nuk del i mirë”.
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut