Krasniqi: Pagat e mësimdhënësve do të rriten për 30 për qind

21:51 | 24 Janar 2019
Arbresh.info

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se koalicioni qeverisës do të respektojë memorandumet për rritje të pagave, të nënshkruara gjatë fushatës parazgjedhore.

Krasniqi, në RTV Dukagjini, ka thënë se sindikatat edhe mund të kenë mbështetje politike, pasi sipas tij partitë opozitare kanë mbështetur haptazi grevat.

“Të gjithë grevistët mund të kenë afinitet politikë. A kanë mbështetje politike? Mund të interpretohet që kanë pasi që është partia politike Vetëvendosje që publikisht mbështet grevat. Ata janë një nga partitë më të mëdha në Kuvend dhe mund të interpretohet që normal greva paska mbështetje politike”

“…E kemi edhe LDK-në e cila në asnjë mënyrë nuk është kundër grevave. Mund të thotë se nuk mbështet plotësisht grevat por thirret në memorandume”, tha nënkryetari i PDK-së.

Krasniqi thotë se është e vërtet që PDK ka pasur memorandume me sindikatat edhe në të kaluarën me Qeverinë Thaçi dhe se sipas tij ku subjekt i ka respektuar këto memorandume duke ngritur pagat.

“Jemi ballafaquar me greva edhe në të kaluarën me Qeveritë Thaçi 1 dhe 2, por kemi gjetur zgjidhje në komunikim me ta duke bërë edhe rritje të pagave, që është bërë në secilin mandat”.

Nënkryetari i PDK-së ka thënë se koalicioni PAN do t’u qëndrojë me besnikëri memorandumeve parazgjedhore përfshirë edhe atë me SBASHK-un për rritje të pagave prej 30%.

“Ky premtim ka qenë për një mandat. Ne po flasim ende pa u bërë 1 vit e gjysmë nga mandati qeverisës, po besojmë se është bërë ngritje mbi 20% e pagave dhe pjesa tjetër e ngritjes me siguri se do të bëhet pa përfunduar mandati në dy vitet e ardhshme”, deklaroi ndër të tjera Memli Krasniqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme