Limaj e Ahmeti javën e ardhshme pritet të takojnë Mogherinin në Bruksel

16:38 | 24 Janar 2019
Arbresh.info

Bashkëdrejtuesit e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, të martën, më 30 janar, pritet të zhvillojnë edhe takimin e dytë me radhë me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mohgerini.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e bëri të ditur zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj.

Ndryshe, takimi i parë ndërmjet tyre u mbajt para dyjavësh, ku u tha se ishte diskutuar për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë si dhe tarifën doganore 100 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur për prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pas takimit të parë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mohgerini me anë të një deklarate pati thënë se është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, Mogherini u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës të shfuqizojnë tarifën doganore. (REL)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme