Boksierja më e mirë e Kosovës, Donjeta Sadiku, e meriton pjesëmarrjen në Lojërat Evropiane për arsye se për dy herë iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror në Indi, duke mbetur pa medalje botërore për kategorinë e senioreve, ndërsa AIBA e ka obligim për t’ia mundësuar Donjetës pjesëmarrjen në gara të mëdha për arsye të përmbushjes së normës për lojërat olimpike “Tokio 2020”, shkruan sot, gazeta “Zëri”
Qëkur për herë të parë i kishte vendosur dorëzat e boksit Donjeta Sadiku konsiderohej një talente e madhe. Nuk kishte institucion sportiv në vend që nuk e kishte parashikuar karrierën e ndritshme të kësaj boksiereje, së cilës, ndonëse në nivele shumë të larta, në dy vitet e fundit i ishte mohuar pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të boksit, që është mbajtur në Indi. Arsye e mospjesëmarrjes së Sadikut në manifestimin më të madh botëror të boksit për seniore ishte se India nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës e rrjedhimisht asaj nuk i është dhënë viza për shtetin indian. Ndonëse presioni që Donjeta të merrte vizën ishte shumë i madh, si nga institucionet tona sportive e po ashtu edhe ato ndërkombëtare të boksit, shteti indian nuk ia kishte dhënë vizën sportistes sonë.
Pos Donjetës, edhe sportistë të tjerë në Minsk
Megjithatë, për Donjeta Sadikun vijnë lajme të mira, pasi asaj i është rezervuar një vend në Lojërat Evropiane, të cilat do të mbahen në Minsk të Bjellorusisë në vitin 2020. Lajmin për rezervimin e një vendi në Lojërat Evropiane për Donjeta Sadikun e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili në faqen e tij ndër të tjera ka shkruar: “Boksieres Donjeta Sadiku i është rezervuar një vend për pjesëmarrje në lojërat e dyta evropiane ‘Minsk 2019’, që mbahen prej 21-30 qershor në Minsk të Bjellorusisë’, shkruan KOK-u, teksa shton se organizatori i ka konfirmuar Komitetit Olimpik të Kosovës pjesëmarrjen me ftesë boksieres sonë, e cila do të garojë në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Të përkujtojmë me këtë rast se Sadiku ishte bërë nënkampione e botës për juniore në vitin 2015 në Taipei të Tajlandës, ndërsa një vit më pas fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në Ordu të Turqisë, kategoria -57 kilogramë. “Në dy vjetët e fundit Donjeta ishte e pafat, pasi iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror për juniore në vitin 2017 dhe vitin e kaluar në botërorin e senioreve. Të dyja kampionatet u mbajtën në Nju Delhi të Indisë, shtet ky që ekipin e Kosovës nuk e pajisi me viza shkaku i mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga India’, shton më tej njoftimi nga shtëpia numër një e sportit të Kosovës, duke shtuar në fund se krahas shpresës sonë Olimpike, me normë Kosovën në Minsk pritet ta përfaqësojë edhe një ekip i gjerë i xhudos, derisa pritet të marrin pjesë edhe garues të sporteve tjera. Në Lojërat Evropiane të vitit 2015 pati marrë pjesë Nora Gjakova, e cila e kishte fituar medaljen e bronztë, shkruan “Zëri”
Të lumtur edhe në FBoxK
Ndërkohë, të gëzuar për lajmin që e ka marrë Donjeta Sadiku janë edhe në Federatën e Boksit të Kosovës. Në një prononcim për “Zërin” zëdhënësi i kësaj federate, Latif Demolli, tha: “Për Federatën e Boksit të Kosovës kjo do të thotë shumë, për arsye se e vërtetojmë se boksi është ende ndër sportet kryesore në Kosovë. Donjeta e meriton këtë për arsye se për dy herë iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror në Indi, duke mbetur pa medalje botërore për kategorinë e senioreve, ndërsa AIBA e ka obligim për t’ia mundësuar Donjetës pjesëmarrjen në gara të mëdha për arsye të përmbushjes së normës për lojërat olimpike ‘Tokio 2020’”, tha Demolli, për të shtuar në fund se kemi qenë të sigurt se po të merrte pjesë Donjeta në Kampionatin Botëror në Indi do të kthehej me medalje, ashtu siç pritet ta bëjë këtë edhe në Minsk.
Sadiku e ka karrierën përpara
Lajmin për rezervimin e një vendi në Lojërat Evropiane të vitit 2019 e ka mirëpritur boksierja jonë më e mirë. Ajo i tha gazetës “Zëri” se ndihet shumë mirë. “Rezervimi i një vendi në këto lojëra evropiane është një ndjenjë e papërshkrueshme për mua. Besoj se do të kem paraqitje sa më të mirë dhe t’i sjell vendit tim medalje nga këto lojëra”, u shpreh Sadiku. Edhe trajneri i Përfaqësueses së Kosovës dhe trajneri personal i Donjeta Sadikut, Besim Brahimi, tha të jetë i lumtur më këtë lajm. Në një deklaratë për “Zërin” Brahimi tha: “Donjeta do të na gëzojë shumë me pjesëmarrjen e saj në Lojërat Evropiane, pasi para saj është një karrierë e ndritshme”, tha Brahimi, duke shtuar se boksierja e tij, 19-vjeçarja Sadiku, e ka karrierën përpara, ndërsa sukseset e saj në të ardhmen nuk do të mungojnë. Donjeta Sadiku dhe disa boksierë kosovarë janë në Durrës, ku janë duke i bërë përgatitjet e përbashkëta për garat që i presin ata gjatë këtij viti./Zëri
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...
Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak mungesa e k...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...