Paralajmëron opozita: Nuk i ndalim protestat deri në rrëzimin e Ramës

18:23 | 23 Janar 2019
A. B.

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, në një intervistë për Ora News, thotë se protestat e opozitës nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë Rama.

Sipas tij protesta nuk kanë për qellim pushtetin e opozitës, por për ti hap rrugë zhvillimit dhe integrimit të vendit. Edmond Spaho, hodhi poshtë mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve, ndërsa tha se PD prej muaj po evidenton kandidatët fitues.

Nga 4 shkurti opozita do të nisë një seri protestash në të gjithë vendin duke kulmuar me protesta masive në Tiranë me qëllim largimin e qeverisë Rama. Në një intervistë për Ora News, nënkrytari Edmond Spaho, thotë se opozita nuk po lufton për pushtetin e saj, por sipas tij vendi është zhytur në krizë ekonomike dhe sociale.

Spaho: Kjo nuk është një përpjekje për të sjellë opozitën në pushtet, por është një përpjekje e madhe për ti siguruar vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pastaj cilado forcë politikë që të fitojë le të qeverisë.

Spaho, thotë se kjo qeveri ka asgjesuar çdo liri, ndaj sipas tij me kryeministrin Edi Rama nuk mund të shkohet në zgjedhje.

Spaho: Të shpresosh që me Edi Ramën në qeveri do të ketë zgjedhje në qershor normale si në çdo vend demokratik është iluzion dhe gabim i rëndë nga ana e opozitës sepse do të përdoret si fasadë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike njëherazi kryetar i grupit parlamentar, hedh poshtë zërat se opozita po përgatitet për të bojkotuar zgjedhjet vendore.

Spaho: Asnjë forcë demokratike nuk vjen në pushtet pa zgjedhje. Të gjitha përpjekjet që ne bëjmë tani, edhe protestat janë që të garantojmë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne kemi kohë që kemi filluar për identifikimin e kandidaturave që do të konkurrojnë për zgjedhjet vendore.

Edmond Spaho i ka bërë thirrje qytetarëve, gazetarëve dhe intelektualëve që të mbështesin protestat e opozitës. Sipas tij me Ramën kryeministër nuk ka integrim e as ekonomi të mirë.

 

Të ngjashme