Qeveria ka shpenzuar 466 mijë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

17:38 | 23 Janar 2019
Arbresh.info

Që nga data 1 dhjetor e vitit të kaluar Ministria e Drejtësisë, që menaxhon fondin prej 1.5 milion euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, ka shpenzuar 466,309 mijë euro.

Në emër të këtij fondi shteti ka kontraktuar dy subjekte ligjore ndërkombëtare, përfshi edhe avokatin Geoffrey Nice për këshillim ligjor në formulimin, zhvillimin dhe prezantimin e pozitës juridike të Republikës së Kosovës pranë Dhomave të Specializuara.

Avokati Nice, do të mbrojë Sami Lushtakun para prokurorëve të Gjykatës Speciale. Ai ka kërkuar nga ekipi kosovar që të paguhet 2 mijë e 200 euro për një ditë pune, duke shtuar këtu edhe biletën e udhëtimit.

Përveç mbrojtjes së Lushtakut sipas Driton Lajçit, shef i zyrës për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë, Geoffrey Nice do të jetë në mbrojtje të ekipit kosovarë jo vetëm të Lushtakut.

Për angazhimin e Geoffrey dhe shpenzimet tjera që janë bërë nga ky fond, Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të na ofroj qasje në faturat e të gjitha shpenzimeve.

Por ky inistucion ka refuzuar të na ofroj faturat e shpenzimeve që janë paguar nga taksapaguesit kosovarë.

Në një përgjigje me shkrim kanë thënë mos qasjen në dokumentete kërkuara e bazojnë në Ligjin për Qasje në Dokumente.

“Në kuptim të dispozitave të Ligjit Nr. 03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike (neni 12), dhe në bazë të vendimit Nr. të Prot. 71-DhS-1 përkitazi me këtë çështje, nuk mund të ofrojmë më shumë informata”, thuhet në përgjigje.

Por në këtë përgjigje ministria nuk ka specifikuar se me cilën pikë të këtij neni mbeshtetet vendim për të mos ia ofruar faturat gazetës Insajderi.

Neni 12 specifikon rastet kur kufizohet e drejta për qasje në dokumentet publike, siç janë rastet kur rrezikohet siguria kombëtare, mbrojtja dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Sigurisë publike, parandalimit, hulumtimit dhe ndjekjes së aktiviteteve penale, hulumtimeve disiplinore, inspektimit, kontrollimit dhe mbikëqyrjes nga institucionet publike, privatësisë dhe interesave të tjerë legjitim privat, interesave komerciale dhe të tjera ekonomike, politikave ekonomike, monetare dhe këmbimore të shtetit, barazisë së palëve në procedura gjyqësore dhe administrimin efikas të drejtësisë, mjedisit, apo diskutimeve brenda apo ndërmjet institucioneve publike lidhur me shqyrtimin e ndonjë çështjeje”, thuhet në nenin 12.

Asnjëra nga to nuk është specifikuar nga Ministria e Drejtësisë si arsyeje për refuzimin e kërkesës.

Krejt cka janë përgjigjur në kërkesë ministria e drejtësisë është se kanë angazhuar dy subjekte ligjore ndërkombëtare. Dhe se puna e tyre sipas ministrisë është këshillim ligjor në formulimin, zhvillimin dhe prezantimin e pozitës juridike të Republikës së Kosovës pranë Dhomave të Specializuara.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve tjera, kjo ministri thotë është në fazën finale të hartimit të akteve nënligjore që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

“Andaj, marrë parasysh këtë, Ministria e Drejtësisë deri më tani nuk ka pranuar faturim të shpenzimeve lidhur me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë DHS”.

Personat e parë të ftaur nga Specialja tashmë kanë filluar të intervistohen. Disa prej tyre janë intervistuar në Prishtinë kurse ish-komandanti i Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti i Drenicës Sami Lushtaku, javën e kaluar për dy ditë radhazi ishin intervistuar në Hagë.

Gazeta Insajderi ka shkruar se si shteti është vënë në shërbim të këtyre personave duke ua mundësuar udhëtimin si persona VIP nga Aeroporti i Prishtinës. Lushtaku, ka udhëtuar si zyrtar i Kuvendit të Kosovës, e Rrustem Mustafa, si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Fondi prej 1.5 miliovë është ndarë me vendim të qeverisë në vitin 2016-të.

Bazuar në këtë vendim personat të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale, kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur, në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave.

Me këtë fond po ashtu, mbulohen shpenzimet edhe familjarëve të tyre gjatë vizitave që do t’u bëjnë këtyre personave, të cilët do të përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Deri tash sipas Ministrisë së Drejtësisë nga ky fond janë shpenzuar, gjysmë milioni.

“Për Programin Mbrojtja Juridike dhe Mbështetja Financiare e Personave të Akuzuar Potencialë nga Dhomat e Specializuara, me Ligjin nr. 06/L-020 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, në kategorinë 020 Transfere dhe Subvencione janë miratuar 1,500,000.00 euro. Nga kjo shumë e planifikuar në vitin 2018 janë shpenzuar 466.309,41 euro për zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe marrjen e këshillave juridike për formën e adresimit të obligimeve të Republikës së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special”, thuhej në një përgjigje të shkruar që Ministria e Drejtësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme