Google ADS

Tre dëshmitarë në gjykimin për mantelat e spitalit të Gjakovës

16:40 | 23 Janar 2019
Arbresh.info

Në gjykimin ndaj tetë të akuzuarve për manipulim me tenderin për mantelat e spitalit sot para gjykatës së Gjakovës dëshmuan dëshmitarët Samir Kaqi, Ramiz Seremi, Alvit Seremi.

Ahmet Asllani drejtori ekzekutiv i Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, bashkë me të akuzuarit Mirlinda Shehu-Kaqi, Flamur Zeneli, Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Kumrije Kameri, Adnan Brovina dhe Skender Ndrecaj po ngarkohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërsa gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj Mirlinda Shehu-Kaqi dhe Flamur Zeneli për shkak të parashkrimit relativ.

Dëshmitari Samir Kaqi bashkëshorti i tani ish të akuzuarës Mirlinda Shehu- Kaqi tha se firma e gruas së tij si fituese e tenderit ka pasur për obligim ta bëjë vetëm printimin e uniformave.

“Për printim kam marrur 200 euro për 500 gjepa të mantillave, ndërsa 9.855 euro i ka marrur Flamur Zeneli e ndër ato mbi 5.000 euro i ka shpenzuar për blerje të materialit”- tha dëshmitari Samir Kaqi.

“Firma NTSH “Aleoidi” me pronar Agim Seremi ka bërë qepjen e uniformave, materiali është blerë nga Flamur Zeneli dhe rrobaqepësi ndërsa detyra ime ka qenë vetëm printimi”- deklaroj dëshmitari Kaqi.

Ndërsa dëshmitari tjetër Ramiz Seremi në lidhje me këtë rast tha se ka qenë punëtor i babait të tij.

“Unë kam qenë argat-punëtor i babait tim dhe jam paguar nga ai me rrogë mujore”- tha dëshmitari Ramiz Seremi.

“Sa kam dijeni materialin e ka blerë firma që e ka fituar tenderin dhe sigurisht babai im ka qenë me ata, ndërsa ne si rrobaqepës kemi qepur 220 deri 260 mantila, 290 bluza dhe afër 300 pantolla”- deklaroi Ramiz Seremi.

Gjykimin e sotëm e drejtoj kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Manduhije Syla.

Në seancën e sotme dëshmoj edhe dëshmitari Alvit Seremi.

Ai tha se ka punuar si punëtor te babai i tij Agim Semeri, me rrogë mujore.

“E di që tenderin e ka fituar firma e Mirlinda Kaqi dhe babai ka bërë marrëveshje me të, mirëpo unë nuk di aagjë tjetër me shumë”- tha dëshmitari Alvit Seremi.

Seanca e radhës u caktuar për muajin Shkurt.

Tetë të akuzuarit, dy prej të cilëve përfaqësues të një biznesi si dhe drejtori aktual i spitalit, akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës se manipuluan me numrin e mantelave të cilat ishin paguar nga Spitali.

Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, këta të akuzuar furnizimet me mantela për spitalin që kryheshin me sasi më të vogla, në letra i shënonin në sasi më të madhe të mallit.

Dy të pandehurit Mirlinda Shehu, menaxhere në ndërmarrjen El-Ri Graphic dhe Flamur Zeneli, po akuzohen se nuk i kishin dorëzuar spitalit mantelat të cilët ishin paraparë në kontratë.

“Në kontratë përfshiheshin 48 copë mantela me ngjyrë të bardhë, 302 copë pantallona dhe bluza të bardha, 78 copë pantollana dhe bluza të gjelbëra, 41 copë pantollana dhe bluza të pembe dhe 17 copë me ngjyrë të kaltër, ku vlera e këtyre arrin në 9.855 euro”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa tre të pandehurit Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri, kishin nënshkruar dokumentacionet të cilat tregonin se materialet janë dorëzuar.

Për të pandehurin Adnan Brovina në aktakuzë thuhet se në cilësinë e personit zyrtar-depoist, ka pranuar më pak uniforma se sa ishte e përcaktuar në kontratë.

Sipas aktakuzës po ashtu ishte përfshirë edhe përgjegjësi i infermierëve Skender Ndrecaj, i cili thuhet se ka bërë presion tek depoisti për pranimin e sasisë më të vogël të mantelave.

Si rrjedhojë këtë rast Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje, pasi që avokatët e të akuzuarve ishin ankuar në Apel, pasi që Gjykata Themelore kishte refuzuar kundërshtimet e aktakuzës dhe provave nga ana e tyre.

https://kallxo.com/apeli-kthen-ne-rivendosje-rastin-e-8-te-akuzuarve-per-keqperdorim-me-mantela-ne- spitalin-e-gjakoves/

Kallxo.com kishte shkruar në Tetor për refuzimin nga gjykata të kundërshtimeve të aktakuzës.

Bëhet e ditur tashmë, se nga ana e Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, është parashtruar padia për përmbushjen e obligimeve kontraktore ndaj të paditurës “NSH EL-Ri Graphic” dhe vlera e kontestit është 5.469.75 euro.

Kjo padi është dorëzuar si kopje në gjykatë dhe e njëjta vërteton se i ka shkaktuar dëm material Spitalit Rajonal.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme