Google ADS

Avokati Rrecaj: Nazif Mehmeti po intervistohet nga Specialja në cilësinë e të dyshuarit

10:16 | 23 Janar 2019
V. S.

Ish-shefi i Policisë ushtarake në zonën e Llapit, Nazif Mehmeti ka filluar që nga dje intervistimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Komandant Dini” po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit për kohën gjatë së cilës ka vepruar në luftën e fundit.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, avokati i Mehmetit, Tahir Rrecaj.

Rrecaj ka thënë se klienti i tij është intervistuar dje, kurse intervistimi pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.

“Po dje ka filluar intervistimin. Po intervistohet në Prishtinë. Dje është intervistuar prej orës 9:30, edhe sot këtu jemi, s’kemi filluar ende”, ka thënë Rrecaj.

Avokati Tahir Rrecaj ka thënë se nuk mund të flasin për raste konkrete që është pyetur klienti i tij.

“Ai është në cilësinë e të dyshuarit. Nuk mund të flasim për raste konkrete. Sigurisht që po intervistohet për periudhën kur ka vepruar si pjesëtar i UÇK-së”, ka thënë Rrecaj për Telegrafin.

Nazif Mehmeti kishte qenë i dyshuar për krime lufte gjatë luftës edhe më herët.

Ai ishte dënuar në vitin 2013 me tri vjet burgim, si pjesë e grupit të Zonës Operative të Llapit.

Si pjesë e këtij grupi ishin dënuar edhe Rrustem Mustafa me katër vjet burgim, si dhe Latif Gashi me gjashtë vite tjera.

Veç Mehmetit, nga Gjykata Speciale deri më tani janë intervistuar edhe Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Sokol Dobruna, Sabahudin Cena, si dhe Naser Krasniqi. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme