Taksa mbetet, Qeveria pa “Plan B”

08:07 | 23 Janar 2019
Arbresh.info

Taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake do të vazhdojë të aplikohet, ndonëse për heqjen e saj dje u diskutua në një takim të zhvilluar mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan Philip Kosnett.

Por ish-ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për “Zërin” se pas presionit të ndërkombëtarëve Qeveria s’ka “Plan B” për taksën, shkruan Gazeta “Zëri”

Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos heqë dorë nga taksa e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina, pavarësisht presionit ndërkombëtar për ta larguar këtë masë tregtare. Gjatë ditës së djeshme kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli zhvilluan një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett, për të diskutuar pikërisht rreth taksës. Por as pas takimit të thirrur nga kryeparlamentari Veseli Qeveria e Kosovës nuk ndërroi qëndrim rreth taksës.

Përkundrazi, kryeministri Haradinaj tha se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia. Në anën tjetër, SHBA-ja tashmë ka kërkuar që kjo masë e vendosur nga institucionet e Kosovës të pezullohet menjëherë.

Duke u nisur nga këto, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Qeveria duhet ta gjejë sa më shpejt një alternativë për ta pezulluar taksën për një periudhë të caktuar. Në rast se nga Serbia nuk përmbushet kriteri i kërkuar që ka të bëjë me njohjen, atëherë sipas tyre Qeveria e Kosovës do të mundë ta kthente sërish në fuqi tarifën prej 100 për qind.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme