Google ADS

Akuza për parregullsi në zgjedhjet e Odës së Infermierëve të Kosovës

22:26 | 22 Janar 2019
Arbresh.info

Fitim Havolli, ish-anëtar i Kuvendit të Odës së Infermierëve të Kosovës thotë se ka identifikuar parregullsi në procesin e zgjedhjeve për Odën e Infermierëve të Kosovës.

“Kemi identifikuar disa shkelje ose mosrespektime të rregulloreve të KQZ në disa pika kruciale. E para është përcaktimi i koeficientit me një vendim të kryetarit të KQZ-së të Odës së Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësore sa i përket ndarjes se ulëseve. E dyta ka të bëjë me dhënien e një anëtari nëpër disa njësi të cilat pa e arrit pragun mosfunzionimi i tyre është stimulu me nga një ulëse në Kuvendin e ardhshëm të OIK-ut”, thotë Havolli për KALLXO.com.

Ai thotë se i është drejtuar organeve kompetente të Odës, por sipas tij ankesat janë refuzuar si të pabaza.

“Ne fillimisht me kohë dhe afat jemi ankuar në Komisionin e KQZ dhe ju kemi drejtuar kryetarit për ndarjen e ulëseve e cila thotë ‘çdo 60 anëtarë +/- 10 përqind tolerancë dhe i kanë mohuar disa klinikave ulësen dhe ka shkelje kruciale. Ata na e kanë kthyer vendimin me refuzim se ne në bazë të këtij vendimi konkretisht Klinika Infektive që i posedon 72 anëtarë nuk i gëzon dy ulëse e në fakt në Kuvendin e parë me të njëjtën rregullore Klinika Infektive i ka pasur dy ulëse. Ne e shohim si jashtë rregullores llogaritjen e koeficientit që e ka bërë komisioni i KQZ-së”, tha ai.

Sipas Havollit këto janë shkelje esenciale të rregullores që e bëjnë gjithë procesin të parregullt.

“Neni shtatë e obligon KQZ të bëjë organizimin e zgjedhjeve komplet sipas miratimit të asaj rregullore, KQZ merr vendim me një lloj koeficienti 0.5 ulje apo ngritje që fare nuk përkon me nenin 8 ku flet konkretisht për shërbimin terciar ku thuhet se në çdo gjashtëdhjetë anëtarë të përfaqësohen me një ulëse. Dhe për ato klinika thotë se për shkak të disa specifikave disa klinika nuk mund të kenë anëtarët- përmbushjen e këtij kriteri thuhet që të fuzionohen mes veti deri në arritjen e kriterit, ky sipas vendimit në Kuvendin e ardhshëm ky pa e arrit kriterin i stimulon me nga një përfaqësues. Në kërkesën time për Klinikën Infektive mohohet përfaqësimi me dy ulëse në Kuvend”, tha Havolli.

Nga ana tjetër Këshilli Qendror Zgjedhor i Odës së Infermierëve të Kosovës thotë se ankesat e Havollit janë tërësisht të pabazuara.

“Havolli ka ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi. Në ankesë Havolli shpreh pakënaqësinë ndaj metodologjisë së llogaritjes të numrit të anëtarëve të cilat i zgjedh njësia zgjedhore, duke pretenduar se njësisë zgjedhore 75 SHSKUK – Klinika Ifektive, i është mohuar një vend në Kuvend, duke mos kontestuar listën e anëtarëve të kësaj njësie e cila numëron 71 anëtarë. Gjyqi i nderit si organ kompetent lidhur me vendosjen e ankesave për procesin zgjedhor, e ka shqyrtuar dhe të njëjtë e ka refuzuar si tërësisht të pa bazuar”, thuhet në përgjigjen e KQZ.

KQZ thotë se Klinika Infektive ka 71 anëtarë me të drejtë vote. Atje kanë votuar 64 anëtarë apo 90 përqind të votuesve të kësaj njësie zgjedhore, sipas tyre Havolli ka marrë vetëm 19 vota.

Havolli ka vendosur që t’i drejtohet edhe Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar nga Ministri ndërhyrjen në procesin e zgjedhjeve në mënyrë që sipas tij të ndalen manipulimet nga KQZ dhe Oda e Infermierëve të Kosovës.

I kontaktuar nga KALLXO.com Naser Rrustemaj kryetari i deritanishëm i OIK-ut dhe kandidat për kryetar të ri tha se ai nuk do të komentoj për ankesat e Havollit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme