Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pritet të takohet të mërkurën me homologun e tij rus Vladimir Putin në Moskë. Vizita ndodh ndërsa forcat turke përgatiten të fillojnë një operacion ushtarak me përmasa të mëdha kundër forcave milicore kurde YPG në Siri.
“Ne nuk kërkojmë këshilla nga askush se si ta trajtojmë një grup terrorist, aktivitetet e të cilit për më tepër se 30 vjet drejtohen kundër qytearëve tanë, si dhe nuk kërkojmë leje për të luftuar terrorizmin”- shkroi javën e kaluar zoti Erdogan për të përditshmen ruse “Kommersant”.
Ankaraja e konsideron forcën milicore kurde YPG dhe krahun e saj politik PYD, si organizata terroriste, me lidhje me kryengritjen brenda Turqisë.
Ankaraja dhe Moska mbështesin palë rivale në luftën civile në Siri; mosmarrëveshjet mes tyre rezultuan në rrëzimin nga avionët reaktivë të Turqisë të një avioni bombardues rus në vitin 2015. Që nga ajo kohë, të dy presidentët po e shtojnë bashkëpunimin, në përpjekje për t’i dhënë fund konfiktit.
Erdogan dhe Putin zhvilluan shtatë takime kokë më kokë gjatë vitit 2018 dhe 18 biseda telefonike, ku diskutuan për lidhjet dy-palëshe dhe për çështjen e Sirisë.
Zoti Putin i dha dritën jeshile dy operacioneve të mëparshme ushtarake turke kundër grupit YPG, që rezultoi në marrjen e kontrollit të një rajoni të madh të Sirisë nga Ankaraja.
Mbështetja e Moskës për grupet YPG dhe PYD është rritur, ndërkohë që Presidenti amerikan Donald Trump vendosi muajin e kaluar për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe që t’i japë fund mbështetjes ushtarake amerikane për milicinë kurde, në luftë kundër grupit Shteti Islamik.
Uashingtoni i ka bërë vazhdimisht thirrje forcave kurde siriane, që t’i bëjnë rezistencë thirrjeve për të arritur një marrëveshje me Damaskun dhe Moskën. Vëzhguesit thonë se me tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, grupeve kurde YPG dhe PYD u mbeten pak shanse veç Damaskut, ndërkohë të forcat turke janë grumbulluar në kufi.
Presidenti rus Putin është po ashtu i sigurtë, se vendimi i zotit Trump për t’u tërhequr nga Siria, i mohon atij një kartë të rëndësishme në përpjekjet për ta larguar zotin Erdogan nga aleatja e tij tradicionale, NATO.
Mbështetja e Uashingtonit për grupin YPG, që Ankaraja e konsideron si grup terrorist, i ka dëmtuar marrëdhëniet dy-palëshe.
Sulmohet me raketa agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Liban
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë...
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj