Google ADS

Rrëfen minatori që mbeti i ngujuar thellë në minierën e Trepçës: “Kalova katër horizonte në këmbë”

18:01 | 22 Janar 2019
Arbresh.info

Gjithçka po ecte si zakonisht deri në orën 11:00, të martën, për Gani Osmanin, i cili bashkë me dhjetëra minatorë po gërmonin 500 metra nën tokë.

Në horizontin e tetë të minierës së Trepçës, ra heshtja kur zjarri përfshiu trafostacionin mbi sipërfaqe.

“Dikund pas orës 11:00 është ndal rryma në krejt minierën. Janë ndërpre edhe telefonat. Pastaj ua bëmë një pyetje përmes një telefoni të improvizuar dhe na thanë që për gjashtë orë nuk vjen rryma”, rrëfen per Gazeten inFokus, Osmani, që mbeti për më shumë se një orë nën dhe.

Asnjëri nuk e dinin saktësisht çfarë po ndodhte me ta dhe nëper horizontet e errëta te minierës kishin filluar të kërkonin shpëtim.

Osmani tregon se bashkë me 8 minatorë të tjerë u nisën në këmbë nëpër daljen emergjente nga horizonti i tetë në horizontin e katërt.

“Bashkë me tetë punëtorë kemi vazhduar për daljen e dytë, daljen emergjente. Prej horizontit në horizont kemi dalur në horizontin katër, aty pastaj është një telefon. Aty kontaktuam se a është ardhë rryma, pastaj na treguan, më nuk vazhduam dhe u kthyem pa probleme”, tregon Osmani.

Paniku kishte filluar t’i zë të gjithë për shumë arsye.

“Pak kanë qenë edhe të panikuar sepse kur ndalet rryma është njëfarë ftohtësie. Ky ventilatori që e fut ajrin brenda nuk punon dhe prishet edhe ajri, ushqim nuk ka, ujë nuk ka. Nuk dihet se sa po ndodhë, me qenë vetëm 6-7 orë ia bëjmë disi, por nuk e dishim saktë sa”, tha ai.

Megjithatë, Osmani thotë se janë mësuar me gjëra të tilla, prandaj ai thotë se kjo është arsyeja që në hyrje të minierës shkruan “Me Fat”.

“Ne jemi mësu, për atë shkruan në hyrje “Me Fat”. Neve na ka ndodhur edhe përpara që jemi dalur në këmbë. Pak jemi lodhë se rrezik nuk ka pasur. Me qenë pak i moshuar me u ngjit andej shkallëve është problem, sepse nga 60 metra i ka një horizont, 240 metra kemi ecur shkalëlve përpjetë. Me qenë pak i vjetër problem, por duhet me i ushtru edhe këto”, thotë Osmani.

Sikur ky 56 vjeçar, rreth 100 minatorë të Trepçës mesditën e së martës mbetën të ngujuar thellë në minierën e Trepçës.

Shkak u bë djegia e trafos kryesore të kombinatit, që ndodhet në Parkun e Biznesit në Mitrovicë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme