Google ADS

‘Hiqet taksa ose bie qeveria’

14:36 | 21 Janar 2019
V. S.

Të martën me ftesë të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli pritet të takohen kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett për të diskutuar rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Përfaqësues të PDK-së thonë se presin që në këtë takim të arrihet pajtimi, i cili siguron se raportet me SHBA-në nuk prishen, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Analisti politik Rasim Alija ka thënë se e gjithë çështja e taksës 100% ndaj mallrave nga Serbia është shndërruar në pikëpyetje të mëdha, që vënë në diskutim jo vetëm raportet me BE-në e me SHBA-në, por në aspektin e brendshëm edhe me stabilitetin institucional, përkatësisht me një rrëzim të mundshëm të Qeverisë.

“Do të kishte reaksione krejt tjera nëse taksa do të ishte vendosur qysh moti, me një strategji të qartë dhe analizë se cilat do të mundë të ishin rezultatet e taksës dhe cili do të ishte efekti përfundimtar i saj. Duke qenë që vendosja e taksës është bërë pas dështimit në çdo tentativë të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, duke akuzuar Serbinë për bllokadë të këtyre proceseve, krejt kjo është shndërruar më shumë në betejë politike jashtë e brenda Kosovës, duke minimizuar efektet ekonomike që do të mundë t’i kishte taksa te ekonomia e vendit”, ka vlerësuar Alija

Ai po ashtu ka thënë se kushtet që janë vendosur për heqjen e taksës, siç është njohja nga Serbia, nuk janë reale duke e pasur paralelisht një proces të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Një pasqyrë reale e gjendjes është që BE-ja e SHBA-ja po bëjnë presionin e tyre për heqjen e taksës, një PDK që nuk është e qartë në qëndrimet për taksën, presidenti i cili është për heqjen e taksës dhe kryeministri, për të cilin kanë deklaruar se mund ta rrëzojnë nga Qeveria, por nuk e heq taksën. Nëse do të hiqet taksa ose jo do të varet nga PDK-ja më shumë sesa nga kryeministri. Siç duket edhe të mbetet taksa, edhe të vazhdojë koalicioni qeverisës është bërë e vështirë”, ka përfunduar ai./ZERI/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme