Instituti EPIK thotë se mungesa e reformave në administratën publike ia ka humbur Kosovës 11 milionë euro deri më tani, kurse rrezikon t’i humbë edhe 14 milionë euro të tjera.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në dhjetor 2017, Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen financiare IPA 2016 për të financuar reformat në administratën publike, transmeton Koha.net.
Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka marr për obligim që të zbatojë reformat në fushën e administratës publike, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, drejt krijimit të një administrate publike të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarit.
“Sipas marrëveshjes, institucionet e Kosovës u zotuan se do të zbatojnë tetë reforma në fushën e administratës publike, të cila do të vlerësohen me anë të njëmbëdhjete treguesve. Ndërsa, në anën tjetër Bashkimi Evropian u zotua se zbatimin e reformave të dakorduara do të shpërblehej me 22 milionë euro të mbështetjes direkte buxhetore dhe 3 milionë në asistencë teknike. Thënë ndryshe, institucionet e Kosovës do të fitonin një injektim financiar të cilin do të mund të orientonin për përkrahjen financiare të bizneseve, ofrimin e bursave për studentët, ndërtimin e shkollave, spitaleve apo çfarëdo shërbimi tjetër publik në të mirën e qytetarëve”, thotë IPEK.
Prandaj, sipas IPEK-ut, marrëveshja kishte dy qëllime: (1) avancimin e reformave evropiane në fushën e administratës publike, dhe (2) mbështetjen financiare Qeverisë për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
Marrëveshja identifikoi tetë reforma kyçe për periudhën 2018-2020:
Përmirësimi i planifikimit, koordinimit dhe monitorimit të politikave dhe legjislacionit;
Zhvillimi i politikave dhe hartim i legjislacionit sipas qasjes gjithëpërfshirëse dhe empirike;
Rritja e profesionalizmit dhe përmirësim i menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike;
Përmirësimi shërbimeve administrative për qytetarët dhe bizneset;
Reduktim i barrës administrative për qytetarët dhe bizneset;
Racionalizimi i administratës publike;
Përmirësimi i qasjes publike në dokumente zyrtare;
Përmirësimi i qasjes publike në drejtësinë administrative.
“Në këtë kontekst, në vitin 2018 është dashur të bëhet disbursimi i transhit fiks në vlerë prej 5.5 milionë euro, si dhe të përmbushen njëmbëdhjetë treguesit që do të lejonin disbursimin e transhit të parë variabël në vlerë prej 5.5 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Në këtë drejtim, në bazë të analizës të institutit EPIK vlerësohet se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të zbatojnë tërësisht asnjë nga njëmbëdhjetë treguesit që është dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2018 dhe si rezultat i kësaj Kosova ka humbur 11 milionë euro. Me këtë trend të reformave, Kosova rrezikon të humbasë edhe pjesën e mbetur në vlerë prej 14 milionë euro.
Sipas analizës së IPEK-ut institucionet e Kosovës nuk kanë arritur deri në fund të vitit 2018 të përmbushin njëmbëdhjetë treguesit e dakorduar, si në vijim:
Nuk është arritur caku prej 60% të përmbushjes së Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit;
Nuk është arritur caku prej 50% të strategjive/politikave sektoriale, koncept dokumentet dhe ligjet të miratuara nga qeveria në vitin 2018 të cilat do të duhej të kalojnë në procesin e konsultimeve publike, në përputhje me Standardet Minimale për Konsultime Publike;
Nuk është publikuar raporti vjetor mbi masat disiplinore të marra në vitin 2018 kundër nëpunësve civilë për shkeljen e dispozitave të etikës dhe kundër korrupsionit;
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme legjislative për të mundësuar, bazuar në një vendim gjyqësor, pezullimin e zyrtarëve publikë të akuzuar për veprat penale për korrupsion dhe shkarkim të zyrtarëve publikë të dënuar për vepra penale për korrupsion;
Nuk janë harmonizuar ose shfuqizuar së paku 15% e procedurave të veçanta administrative të cilat kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për Procedurat e Përgjithshme Administrative;
Nuk është rritur për dhjetë zyrtarë stafi profesional i Sekretariatit Koordinues të Qeverisë (SKQ), Zyrës së Planifikimit Strategjik (ZPS) dhe Zyrës Ligjore (ZL) nën Zyrën e Kryeministrit (ZKM);
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme legjislative për të siguruar që të paktën shtatë organe të pavarura, që aktualisht i raportojnë Kuvendit të shfuqizohen ose integrohen brenda strukturave qeveritare;
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar në pako, Ligjin për Organizimin e Administratës Publike, Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Pagat;
Institucionet qendrore nuk kanë arritur cakun prej 70% të përgjigjeve me shkrim brenda 30 ditëve ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, në periudhën ndërmjet 1 janarit dhe 30 nëntorit 2018;
Institucionet qendrore nuk kanë arritur të zbatojnë 40% të rekomandimeve të Avokatit të Popullit;
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar Ligjin për Konfliktet Administrative.
Instituti EPIK fton institucionet shtetërore që të shtojnë angazhimin drejt përmbushjes së treguesve të dakorduar me qëllim të avancimit të reformave në fushën e administratës publike dhe evitimit të humbjes së 25 milionë eurove që do të mund të orientoheshin në shërbim të qytetarëve.
“Në fund, konsiderojmë se mos përmbushja e reformave të dakorduara përveç se do këtë pasojë humbjen e mjeteve financiare, në të njëjtën kohë do të dëmtojë reputacionin e vendit tonë si partner kredibil para komunitetit ndërkombëtar. Në fund, gjeni bashkëngjitur dy infografika që sqarojnë nivelin e përmbushjes së njëmbëdhjetë treguesve dhe gjendjen e disbursimit financiar në vlerë prej 25 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim ...
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...