Gucati: Gjykata Speciale është e njëanshme, do të dështojë

09:14 | 20 Janar 2019
Arbresh.info

Pas ftesave nga Gjykata Speciale për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u intervistuar nga kjo Prokuroria e Speciales, OVL e UÇK ka kërkuar nga të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së të mos pranojnë të bashkëpunojnë me këtëprokurori, pra të mos japin deklarata.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL e UÇK-së), Hysni Gucati, ka thënë se kjo Gjykatë do të dështojë ashtu si gjykatat e tjera gjatë viteve të kaluara.

Ai i ka siguruar qytetarët se të akuzuarit do të kthehen faqebardhë në Kosovë.

“Unë besoj, në finale do të jetë sikur gjykatat tjera që kanë dështuar të gjitha. Si gjykata e UNMIK-ut, gjykata e EULEX-it, gjykata ndërkombëtare e Hagës që ka qenë dhe që ka dështuar. Besoj dhe tash në këtë. Gjykata do të dështojë, për arsye se ne kemi përvojën tash dhe të gjitha gjykatat i kemi fitu”, tha Gucati, për Ekonomia Online.

Sipas tij, kjo gjykatë është e njëanshme.

“Thirrja e tillë për heshtje ka qenë arsyeja sepse kjo gjykatë është e njëanshme, është e papranueshme për Organizatën e Veteranëve të Luftës dhe besoj edhe për qytetarët e Kosovës. Këtu është bërë një e padrejtë ndaj qytetarëve, ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati.

Ai ka paralajmëruar se në rast nevoje, varësisht se si do të rrjedhë situata në Gjykatën Speciale, do të ketë edhe protestë të OVL-së.

“Ne do t’i tregojmë botës, gjykatave ndërkombëtare që do të veprojmë me ndonjë protestë në të ardhmen që të paktën t’iu tregojmë që UÇK-ja nuk ka bërë krime dhe nuk ka pasë mundësi me bërë krime të luftës”, u shpreh Gucati.

Ai është shprehur bindshëm se lista e veteranëve të rrejshëm do të pastrohet një herë e përgjithmonë.

“Besoj se po. Ndoshta 100 për qind, jo. Pra do zgjedhet një model që me siguri do të merret modeli kroat, që do të kryhet kjo çështje një herë e përgjithmonë”, tha ai.

Me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, Prokuroria Speciale në Hagë ka intervistuar të hënën Rrustem Mustafën, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Llapit, i njohur si komandant Remi dhe të mërkurën ish-komandantin Sami Lushtakun.

Ndërsa, më 4 shkurt pritet të intervistohet edhe një tjetër pjesëtar, anëtar i OVL të UÇK-së dhe më 17 të po këtij muaji është ftuar ish-Komandanti i Brigadës 124 të Rahovecit, Ismet Tara, i njohur si “komandant Hoxha”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme