Gjurmë shqiptare – Gjama e burrave

00:00 | 20 Janar 2019
Trina Galanxhi

Në Shqipërinë e veriut, kryesisht në zonat e Nikaj Merturit, Dukagjinit, disa krahinave të Pukës, Malësisë së Mbishkodrës etj riti i gjëmës së burrave ka filluar pas vdekjes së Skënderbeut, pra rreth vitit 1468 . Tradita ka vazhduar deri në vitin 1960.

Sipas legjendave kur vdiq Skënderbeu në vitin 1468, Lekë Dukagjini rrihte gjoksin e shkulte flokët, siç bëri Akili kur u vra Patrokli në luftën e Trojës, tremijë e kusur vite më parë.

Udhëtarë e misionarë të huaj të shekujve XV-XVII, që kanë studiuar dhe vërejtur këtë dukuri të malësorëve të Shqipërisë së veriut, sidomos ritet e vajtimit ndër burra, i vlerësojnë ato si të natyrës pagane .

Për herë të fundit në Nikaj Mërtur, gjëma e burrave është bërë në vdekjen e Malush Zeqirit nga fshati Peraj. Thuhet se oshëtima dhe britmat e gjëmatarëve kanë ushtuar deri në qafë të Kolçit. Ishte një ndër ngjarjet që shtyu sistemin komunist ta ndalojë këtë rit të veçantë duke e konsideruar “zakon prapanik”.

Mendohet se zanafilla e këtij riti është pikërisht sjellja e Lekë Dukagjinit në vdekjen e Skënderbeut. Lekë Dukagjini nga mërzia e thellë për vdekjen e Skënderbeut, vajtoi me zë të lartë, rrahu gjoksin, shkuli flokët dhe filloi të gërvishet me thonj. Duket e habitshme, por e bërë prej Lekës, u kthye në zakon. Që andej e tutje, për çdo burrë të nderuar, duhej të kryhej i njëjti rit.\

Është një rit i organizuar. Prijësi ka detyrën që të merret me çdo detaj dhe përgjegjësinë që çdo gjë të shkojë në mënyrën e duhur.

Por çfarë bëhet në gjëmën e burrave?
Në fazën e parë gjamatarët heqin rrobat e rënda (në kohë dimri e të ftohti ), vendosin duart mbi ijet e bërrylat dhe i mbajnë hapur anash. Prijësi i gjamës, (ai zgjidhet unanimisht nga pjesëmarrësit duke qënë më i vjetri,e më i përgatituri), jep shenjë dhe fillon lëvizja duke u përdredhur i gjithë grupi herë majtas e herë djathtas, duke u përkulur mbi shalë e duke u ngritur, duke rrahur për tokë herë njëren këmbë e herë tjetrën, duke shpërthyer në britma të gjithë përnjëherë. Pastaj të gjithë ngrejnë kokën lart, e një dorë e vënë te goja e tjetrën te veshi duke lëshuar ofshama dhe thërrasin emrin e të vdekurit me fuqi e duke e zgjatur zërin. Pastaj shpërthejnë me thirrje.

Në fazën e dytë ata lëshohen me hap të rëndë dhe epik drejt kufomës (përshkojnë distancë rreth 50-100 m) dhe ndalojnë të gjithë përnjëherësh. Kryet lart, kraharorzbuluar, duar në ije, me këmbë gjysmë të hapura. Pastaj gjëmatarët “ngrijnë” dhe presin shenjën e prijësit. Sapo ai bën shenjë ata lëshojnë pasthirrmën “hou! “ ose “ho!”, heqin duart nga mesi, i bëjnë grusht dhe me forcë i ngrejnë lart. E kështu i mbajnë derisa përfundojnë thirrjen “i mjeri unë për ty!”. Pastaj menjëherë ulin grushtat dhe i përplasin mbi kraharorin e zbuluar. Kjo zgjat derisa gjëmatarët mbarojnë ofshamën “Ho! Ho! Ho!”.

Me shenjë të prijësit vrapojnë 50-100 hapa drejt të vdekurit. Kur lëshojnë thirrjen e përseritur “Hou! Heu! Ho!” heqin duart nga mesi dhe i çojnë anash te fytyra, ngulin thonjtë në tëmtha e në faqe e nisin e gërvishin fytyrën derisa të rrjedhë gjaku.

Së fundi, ulen në gjunjë me radhë duke vazhduar thirrjen e fundit, ulen krejt për tokë, mbështesin ballin përdhe e me duar përkëdhelin dheun. Qëndrojnë kështu deri sa një mashkull i shtëpisë apo vëllazërisë së të vdekurit, i ngarkuar për këtë punë, u shkon afër duke u thënë: “boll o burra!” dhe “Ua shpërblefshim në të mira!” ose “Paçi faqen e bardhë!”.

Kjo traditë po shkon drejt zhdukjes, dhe nuk po trashëgohet te brezat e rinj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme