Ligj për Sigurimet Shëndetësore edhe pse nuk ndan persona dhe sektorë të veçantë për të pasur sigurim nuk po gjen zbatim ende. Sipas ekspertëve, sektori i cili ka më së shumti nevojë për sigurime shëndetësore është Policia e Kosovës.
Këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi ka deklaruar për arbresh.info se janë drejt realizimit të sigurimeve.
“Çdo ditë e më shumë po i afrohemi realizimit edhe të sigurimeve. Nuk ka qenë e lehtë aspak që ta sjellim këtë proces në këtë pikë, pasi që edhe pse është premtuar për një kohë të gjatë, realisht puna në terren nuk ka qenë askund”, thotë Matoshi për Arbresh.info.
Shaban Tasholli nga Sindikata e Policisë së Kosovës, në një prononcim për Arbresh.info, ka pohuar se nga kjo sindikatë, kanë kërkuar vazhdimisht që Policisë së Kosovës t’i bëhet sigurimi shëndetësor, por që kanë marrë premtime se në gjashtë mujorin e dytë pritet që të miratohet.
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që, Ligji për Sigurimet Shëndetësore për Policinë e Kosovës të miratohet dhe se të gjitha tentimet janë bërë nga kjo sindikatë, por nuk janë realizuar, por kemi premtime se në gjashtë mujorin e dytë të miratohet ky Ligj, e sa më shpejtë të merret vendimi”, ka deklaruar Tasholli për Arbresh.info.
Ai ka shtuar se një polic që e ka jetën e rrezikuar, në të gjithë botën ka sigurim shëndetësor, por tek ne kjo gjë duhet të diskutohet.
Behxhet Shala, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka deklaruar për portalin Arbresh.info, se mund të votohet ky Ligj nëse krijohet një fond, dhe në bazë të këtij fondi atëherë mund të fillojë të zbatohet në mënyrë efektive.
“Pas miratimit të Buxhetit të shtetit, Ligji për Sigurimet shëndetësore të Policisë së Kosovës mund të votohet, por çështja është se a do të zbatohet ky ligj, por edhe nëse zbatohet është një periudhë e akumulimit apo krijimit të një Fondi, atëherë mund të themi se fillon të zbatohet në mënyrë efektive ky ligj, e ne tash e kemi kundërshtuar sepse respektivisht nuk mund ta detyrojmë askënd të paguaj një kontribut për derisa nuk mund t’i ofroj në të njëjtën kohë shërbimet Qeveria e Kosovës”, ka thënë Shala për arbresh.info.
Imet Rrahmani, ish-ministër në Ministrinë e Shëndetësisë, është shprehur se Policia e Kosovës ka të drejtë të kontraktojë sigurim plotësues privat, për pjesëtarët e saj.
“Sikur të shtyheshin përpara proceset që ishin në finalizim e sipër sot ne do të flisnim për një proces në zhvillim e sipër. Por duke parë se si tash janë punët perspektiva nuk është e qartë. Krahas sigurimeve të obligueshme shëndetësore edhe Policia e Kosovës ka të drejtë të kontraktojë “Sigurim plotësues privat”, i cili vetëm se e pasuron listën e shërbimeve që pjesëtarët e saj do t’i kenë të mbuluara”, u shpreh ish-ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Ferid Agani, ish-ministër në Ministrinë e Shëndetësisë për arbresh.info, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka mundësi që në kuadër të sigurimeve private shëndetësore, të gjejë zgjidhje për këtë problem.
“Sikur reforma të vazhdohej me dinamikën e cila është themeluar me miratimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore në vitin 2014, me siguri se ajo do të jetësohej shumë më shpejt. Qeveria e Kosovës ka mundësi që në kuadër të sektorit të sigurimeve private shëndetësore të gjej zgjidhje për këtë problem, që me të vërtetë është akut, i cili nuk lejon kurrfarë zhagitje të mëtutjeshme”, ka thënë ish-ministri Agani, në një prononcim për arbresh.info.
Ish-ministri Agani nuk ndjehet optimist për këtë qeverisje për shkak të reformës në shëndetësinë kosovare.
“Unë mendoj se është ‘huq’ esenca e reformës së shëndetësisë kosovare dhe nuk jam shumë optimist në qoftë se do të vazhdohet me hapat me të cilat janë duke u ndërmarrë kjo qeveri. Edhe vetë projekti i Bankës Botërore ka dështuar dhe është shkaktuar një vonesë e palejueshme në zbatimin e Sigurimeve Shëndetësore”, u shpreh në fund ish-ministri Agani.
Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka sigurim shëndetësor as për qytetarët e saj.
Vlen të theksohet se Ministria e Shëndetësisë kishte hartuar ligjin për sigurime shëndetësore në vitin 2009, në kohën kur ishte ministër i shëndetësisë, Alush Gashi./Arbresh.info/ Elmedina Ballazhi
Kosova me 5 grupmosha në arenën ndërkombëtare në basketboll
Anulohet aktiviteti për përurimin e Parkut të Ulpianës
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...