Lutjet e Mëngjesit, pamundësia dhe pavendosmëria e krerëve për pjesëmarrje

08:58 | 19 Janar 2019
Arbresh.info

Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës kanë marrë Ftesat për Lutjet e Mëngjesit që i bën Komiteti Pritës i Kongresit amerikan. Lutjet fillojnë në orën 7 e 30 të mëngjesit, më 4 shkurt.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sikur edhe çdo vit tjetër,  ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit mëson arbresh.info, por ende nuk ka vendosur nëse do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka marrë ftesë, por në këtë klimë të tanishme me taksën, ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë.

Analistët kritikojnë pavendosmërinë e krerëve të shtetit, duke theksuar nevojën e kujdesit për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA-të.

Analisti, Imer Mushkolaj, konsideron se refuzimi i vizës për kryeministrin Haradinaj për të shkuar në Lutjet e Mëngjesit është sinjal i keq, dhe sipas tij e gjithë kjo ka ardhur për shkak të taksës.

“Për Kryeministrin situata është e qartë, sepse siç e dimë të gjithë, atij i është refuzuar viza, dhe për këtë shkak nuk do të mund të marrë pjesë. Ky është një sinjal i keq dhe jo për z.Haradinaj si person por si Kryeministër dhe kjo besojë ka ardhur  për shkak të çështjes së tij karshi taksës ndaj  Serbisë. Mos të harrojmë se ky vendim për refuzimin e vizës vjen pas një përkrahje shumë të madhe, por që SHBA dhanë përkrahjen e ushtrisë dhe tani presin në një formë që institucionet e Kosovës dhe Kryeministri, gjithashtu e gjithë Qeveria që ta pezullojnë taksën për t’i dhanë shans dialogut, pra do të duhej që Kosova mos të kishte probleme të tilla, edhe Kryeministri mos të kishte probleme të tilla që të mos mund të shkojë në një takim apo lutjet e mëngjesit dhe çfarëdo aktiviteti tjetër për shkak të mos respektimit të tij karshi një kërkese që e bënë aleati jonë më i madh i Kosovës”, thotë ai

Tutje Mushkolaj thotë se duhet të kemi kujdes të mos dëmtohet marrëdhënia me SHBA-të.

“Për Presidentin Thaçi  nuk është ende e qartë, por mund edhe të shkojë. Por prapë po them që duhej pasur parasysh shume veprimet të pa kujdesshme, e mos të dëmtohet marrëdhënia me SHBA-të për shkak se atëherë përnjëmend Kosova do t’i ketë punët keq”, vlerëson Mushkolaj.

Analisti Donik Sallova, beson se Thaçi do të marrë pjesë, e Kryeministrit për mospjesëmarrje do t’i bëhet pengesë viza.

“Unë besoj që Thaçi do të marrë  pjesë, ndërsa për Haradinajn si duket viza mund të bëhet pengesë për mospjesëmarrje. Nuk besoj që është normale që një kryeministri t’i vonohet viza. Por, kjo po dihet pse. Pra nuk është çështje konfirmimi, por njëri do të shkojë, e tjetri nuk do të mundet”, ka thënë Sallova.

Ndryshe, Ftesat për Lutjet e Mëngjesit i bën Komiteti Pritës i Kongresit amerikan. Lutjet fillojnë në orën 7 e 30 të mëngjesit, më 4 shkurt. Ndërsa ceremonia e Lutjeve të Mëngjesit drejtohet nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe shërben si takim ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga mbi 130 vende të botës./arbresh.info/ArditaZeka

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme