Google ADS

Mishi i prishur në Pejë, lopa vuante nga sëmundja e pashërueshme

19:04 | 18 Janar 2019
Arbresh.info

Konfiskimi i 1082 kilogramëve mish të prishur në Pejë ishte lajmi kryesor i dy ditëve të fundit. Tre persona përfunduan në pranga pasi dyshoheshin se kishin tentuar të vënin në shitje për konsum mishin e prishur. Njëri nga ta, me vendim të Gjykatës Themelore të Pejës do të qëndrojë në paraburgim deri me datën 16 shkurt 2019.

Fjala është për Sali Shkuliqin, personin i cili për 400 euro e bleu lopën e cila vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe, sipas pretendimeve të Prokurorisë, e preu me qëllim që ta shiste për konsum.

Shkuliqi i mohoi pretendimet e prokurorisë duke thënë se mishin e kishte ruajtur në lokal për t’ia dhënë qenit.

“Pasha zoten nuk e kam qit në shitje atë mish, mishin kam pas me ja qitë qenit”, tha i dyshuari.

Mirëpo kjo nuk është hera e parë që Sali Shkuliqi paraqitet para gjykatës për vënie në qarkullim të produkteve të dëmshme të mishit.

Atë e kishte dënuar Gjykata në Pejë me tre muaj burgim mirëpo burgu nuk do të mbahej me kusht që i njëjti nuk do të kryente ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti.

Siç duket dënimi ndaj tij nuk pati efekt pasi të mërkurën në lokalin e tij, policia i konfiskoi dhe i asgjësoi mbi 1000 kilogram mish të prishur i cili dyshohet se ishte i destinuar për shitje.

Sipas Prokurorisë, një pjesë e atij mishi ishte transportuar me “Golf 2”, pasi ishte prerë në vendin ku u ble lopa e sëmurë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme