Britania apelon për përmbajtje të forcave ushtarake të Mianmarit

18:10 | 18 Janar 2019
Arbresh.info

Britania ka ngritur shqetësimet për përshkallëzimin e dhunës në shtetin Rakhinë të Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri britanik i shtetit për Azinë dhe Paqësorin, Mark Field, tha se ai ndihet “thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës në shtetin Rakhinë”.

Përmes një deklarate me shkrim, Field tha se “Mbretëria e Madhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt për të treguar përmbajtje”.

“Të gjitha palët kanë për detyrë të garantojnë sigurinë e civilëve dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare”, tha Field.

Shteti perëndimor Rakhinë i Mianmarit është shtëpia e komunitetit mysliman Rohingya, i përshkruar nga OKB-ja si populli më i përndjekur në botë.

Që prej 25 gushtit të vitit 2017, rreth 24 mijë myslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit, sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit të Ontarios (OIDA).

Më shumë se 34 mijë mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e pa treguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme