Shkrimtari Mexhid Mehmeti, autor i 33 veprave letrare të zhanreve të ndryshme, e shënon 50 – vjetorin e botimit të tij të parë, me gjashtë tituj të rinj: një roman për fëmijë, tripjesësh, një përmbledhje vështrimesh e reçensionesh për vepra e autorë të ndryshëm, dy vëllime me poezi dhe një vëllim me proza poetike.
Pikërisht në këtë përvjetor, Mexhid Mehmetit iu dha çmimi letrar “Ymer Elshani”, nga manifestimi letrar “Agim Deva” për veprën më të mirë për fëmijë të vitit.
Në një intervistë për gazetën “Illyria”, Mexhid Mehmeti bën një “rezyme” të krijimtarisë së tij letrare 50 – vjeçare, një vështrim për zhvillimet shoqërore, politike e kulturore gjatë kësaj periudhe, si edhe për jetën kulturore dhe pozitën e shkrimtarëve, sot.
Po ashtu, flet për dhembjen e tij të madhe – pastrimin e heshtur etnik të Luginës së Preshevës – dhe dëshirën e tij jetësore – bashkimin e trojeve etike shqiptare.
– Sivjet mbushen 50 vjet të botimit të poezisë suaj të parë. Si e vështroni punën tuaj krijuese gjysmëshekullore?
– Po, sivjet mbushen 50 vjet nga botimi i poezisë sime të parë. Ishte një poezi përkushtuese për nënën, e cila u botua në dialektin gegë në revistën “Zani i rinisë” në Prishtinë. Atëbotë, më 1965, ende nuk ishte në zbatim gjuha e njësuar letrare dhe gazetat e revistat shqipe, të paktat që botoheshin në Prishtinë e në Shkup, ishin në gegërishte. Më kujtohet si sot, gëzimi ishte shumë i madh, jo vetëm i imi, por edhe i familjes, shokëve të shkollës, mësimdhënësve…
Gëzimet e tilla vazhduan pastaj, njëra pas tjetrës, me botimin e shumë e shumë krijimeve të mia të gjinive e të zhanreve të ndryshme letrare e publicistike nëpër gazeta e revista të kohës, siç ishin “Rilindja”, “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Jeta e re”, “Fjala”, “Shkëndija”, “Bujku”, “Plejada”, “Epoka e re”, “Bota sot”, “Kosova sot” etj., në Prishtinë, pastaj në “Flaka e vëllazërimit”, “Jehona” etj., në Shkup si dhe në disa revista në Shqipëri. Një numër poezish më janë botuar edhe në gjuhë të huaja nëpër antologji e revista në Itali, Bosnjë e Hercegovinë, Rumani, Mal të Zi, Serbi…
Përherë, pas botimit të çdo krijimi, gëzimi im ishte i madh, dhe gënjejnë të gjithë ata që e pohojnë të kundërtën. Mund t’ju them se gëzime të tilla përjetoj edhe tani, kur sheh dritën ndonjë shkrim a ndonjë vepër e imja. Pra, gëzohem shumë edhe gjysmë shekulli pas botimit të poezisë së parë…
Ndërkaq, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj në plotni, kujtoj se pavarësisht përgjigjeve që do të jepja, ato do të ishin të mangëta. Deri tash kam botuar 33 vepra të zhanreve të ndryshme letrare dhe, s’do mend se jam i kënaqur, por kënaqësia pushon të marrë frymë dhe zbehet në çastet kur njeriu e ndjen se ka mundur të bëjë më shumë, po ta kishte shfrytëzuar kohën më racionalisht. Pra, sado që të jesh i kënaqur me rezultatet që ke arritur, je edhe i pakënaqur nga ajo që ke mundur ta bësh, por nuk e ke bërë.
– Në njëfarë moshe, njeriu e shtron edhe pyetjen: Sa i ka dhënë jeta. Ju, si shkrimtar, e keni menduar sa ju ka dhënë letërsia?
– Keni të drejtë. Pyetjet e tilla, sikundër i thonë, në moshën e tretë, imponohen vetëvetiu, meqë letërsia për mua është jetë dhe anasjelltas. Jeta më ka dhënë familje të lumtur: bashkëshorten, djemtë, vajzën, mbesat. Më ka dhënë familjen e gjerë dhe miqtë e shumtë gjithandej nëpër botë, pra më ka dhënë gjithçka që i nevojtet njeriut për të qenë i lumtur.
Mbi të gjitha jeta më ka dhënë letërsinë, ashtu siç më ka dhënë edhe letërsia jetë. Sepse, për mua letërsia është jetë dhe jeta letërsi.
– Ju, sikurse shumë shkrimtarë, keni punuar edhe si gazetar. Çka i japin njëra – tjetrës gazetaria dhe letërsia?
– Menjëherë pas përfundimit të studimeve në Prishtinë, zura punë si përkëthyes e gazetar në “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, por aty nuk qëndrova gjatë, sepse u ktheva në vendlindjen time, në Preshevë, ku punova mësues letërsie nëpër shkollat e atjeshme për më shumë se një dekadë. Megjithatë, më 1985 fillova të punoj si korrespondent i gazetës “Rilindja” nga Kosova Lindore, përkatësisht nga Presheva, Bujanoci e Medvegja. Këtë punë e ushtrova derisa plasi lufta e fundit në Kosovë.
Mund të them se puna e korrespondentit është shumë e vështirë, sepse duhet të jesh përherë në rrjedhë për të mos lënë asnjë ngjarje pa e përcjellë, lëre më që duhet të informosh për gjithçka. Pra, duhet të jesh i “specializuar” për politikë, ekonomi, bujqësi, arsim, shëndetësi, kulturë, sport…
Në këtë rrafsh, s’do mend se gazetaria është pengesë për letërsinë. Mirëpo, kujtoj që letërsia, në njëfarë mënyre, e ndihmon gazetarinë, sidomos në perfeksionimin e mënyrës së të shkruarit, etj.
– Gjatë shekullit tuaj krijues, në Kosovë kanë ndodhur ndryshime të mëdha shoqërore, politike e kulturore. Si e vlerësoni rolin e shkrimtarëve në këto ndryshime?
– Është e vërtetë, kanë ndodhur ndryshime të mëdha, madje ndryshime epokale… Dhe s’ka si të quhet ndryshe ndryshimi nga robëria në liri.
Në këtë aspekt, kujtoj se shkrimtarët kanë pasur rol tepër të madh, mbase edhe vendimtar për krejt atë që është arritur. Roli i tyre është spikatur si në ngritjen e nivelit arsimor e kulturor, ashtu edhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare, pa lënë anash edhe rolin që kanë pasur ata në mobilizimin e masave të gjera në luftë kundër pushtuesve shekullorë.
Ky mobilizim mund të akceptohet si në organizimin e veprimatarive atdhetare e kombëtare, ilegale e legale, pastaj në pajtimin e gjaqeve, në organizimet politike, partiake etj., që s’do mend se u kurorëzua me luftën e fundit që përfundimisht solli lirinë e Kosovës.
Gjatë gjithë kohës shkrimtarët janë sakrifikuar dhe kanë dhënë gjithçka për realizimin e idealeve kombëtare. Shi për këtë, shumë shkrimtarë kanë qenë të ndjekur, të persekutuar, të burgosur e madje edhe të vrarë nga armiqtë shekullorë.
– Si e vlerësoni jetën e sotme letrare e kulturore në Kosovë?
– Kësaj pyetjeje do të kisha mundur t’i përgjigjesha me një fjalë: E mjerë! E mjerë, sepse nuk janë përmbushur as për së afërmi pritjet që do të kishte mundur të sillte në këtë plan pavarësia.
Në letër “funksionojnë” disa lidhje, shoqata, unione, klube letrare, dhjetëra e dhjetëra shtëpi botuese, por aktivitetet e tyre, me ca përjashtime të vogla, janë minore dhe kurrfare. Mjetet që ndahen nga Ministria e Kulturës dhe e Sportit, nga departamentet komunale të kulturës etj., as për së afërmi nuk i përmbushin nevojat për veprimtari kulturore. Lëre më keqpërdorimet që bëhen në baza klanore, partiake, të intereseve të ndërsjella, etj.
Ka pushuar gati në tërësi veprimtaria e mirëfilltë botuese, pastaj veprimtaritë nëpër teatro profesionale e amatore, të baletit, shoqërive kulturo – artistike etj., dhe ka “lulëzuar” deri në neveri festivalomania filmike, gjë për të cilën kam përshtypjen se derdhen mjete të shumta pa kontroll.
Mjetet shpenzohen kot edhe për seriale “humoristike” të niveleve më të ulta që emetohen nëpër radio-televizionet publike e lokale, etj.
Pra, me pak fjalë, mund të themi si në fillim të kësaj përgjigjeje. Gjendja letrare e kulturore në Kosovë është e mjerë! E mjerë…
– Çfarë është pozita e krijuesve letrarë në Kosovë sot?
– Edhe përgjigja e kësaj pyetje është e ngjashme me atë paraprake: E mjerë! Me vetë faktin se jeta kulturore e letrare është shumë e vështirë, edhe pozita e krijuesve s’mund të jetë ndryshe. Këto vështirësi janë të theksuara sidomos për krijuesit e mirëfilltë letrarë. Sepse, jeni dëshmitar edhe ju, viteve të fundit shumëkush pretendon të jetë apo të bëhet shkrimtar. Kësisoj, kanë vërshuar veprat jocilësore, qofshin ato letrare, publicistike apo shkencore. Kështu që, doemos kanë devalvuar edhe vlerat, madje në njëfarë mënyre ato edhe janë kompromituar, sepse nuk ekzistojnë kriteret, censurat në kuptimin e mirë të fjalës. Kështu, janë irituar edhe lexuesit dhe ka rënë deri në minimum blerja e librit.
Krijuesit letrarë në Kosovë, janë “në bisht të sorrës”, siç i thuhet një fjale. Gjithkush mund t’i gëzojë frytet e tyre, veç ata jo! Përfitojnë shtëpitë botuese, shitësit matrapazë, libraritë, por shkrimtarët jo se jo! Ata, në të shumtën e rasteve, mbeten me gishta në gojë! Përfitojnë, në njëfarë mënyre edhe disa “shkrimtarucë” që merren me “redaktimin” e veprave të ca joshkrimtarëve! Ata me pagesa të majme rishkruajnë librat e individëve që gjatë gjithë jetës nuk e kanë lexuar as një libër të vetëm!. Irituese është pastaj edhe “buja” që ngritet pas botimit të librave të tillë, siç ndodh me rastin e promovimit të tyre, me ç’rast thuhen shumë fjalë të mëdha e afirmative!
Megjithatë, mendoj se do të vijë dita kur antivlerat do ta humbin kuptimin, ngjashëm me lumin kur vërshon dhe me vete merr gjithçka, por një ditë kur të qetësohet e kthjellet, në sipërfaqe do të mbeten vetëm vlerat e mirëfillta.
– Sivjet e keni fituar edhe çmimin letrar “Ymer Elshani” për romanin tuaj të parë për fëmijë “Çamarrokët”. Si ka ndodhur që kaq vonë të merreni me letërsi për fëmijë?
– Jam shumë i nderuar, madje edhe i befasuar, me çmimin “Ymer Elshani”, sidomos nga shkaku që romani “Çamarrokët” është vepra ime e parë për fëmijë e shkruar në prozë. Megjithëse më 2006 nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës më është ndarë edhe çmimi “Hivzi Sulejmani” për romanin “Shtatë ditë pas vdekjes” që ndahet për veprën më të mirë të vitit në prozë, atëbotë nuk më ka shkuar ndërmend se një ditë do të shpërblehem edhe për veprën më të mirë për fëmijë, sepse, siç keni vërejtur edhe ju, deri frik nuk jam marrë me shkrime për fëmijë. Gjithnjë kam menduar se njeriu duhet profilizuar, se duhet t’i përkushtohet një spektri paksa më të ngushtë për t’i arritur majat. Për këtë arsye, për një kohë pata lënë pas dore dramat e madje edhe dashurinë time të parë – poezinë, për t’iu përkushtuar prozës për të rritur, sepse kam menduar se në këtë gjini do të arrij më shumë sukses. Mirëpo, jeta qenka një sprovë e madhe…
Nuk arrita deri në fund t’i përmbahem “konstatimeve” të tilla. Pas një ndërprerjeje 15 – vjeçare u jam kthyer rishtas poezive. Madje, kam filluar të shkruaj edhe prozë për fëmijë. E çuditshme… Si rezultat i kësaj është romani im trevëllimësh me rreth 500 faqe “Çamarrokët”, për të cilin Karvani Poetik i Fëmijëve “Agim Deva” më nderoi me çmimin “Ymer Elshani” duke e vlerësuar atë veprën më të mirë të vitit.
– A mund ta zbuloni surprizën e të tregoni çfarë do t’u ofroni lexuesve së shpejti?
– Gjithësesi, unë nuk mbaj sekrete. Sa më doli nga shtypi libri me recensione “Vlerësim veprash e autorësh”, në të cilën i kam përmbledhur të gjitha shkrimet e mia kritike për vepra e autorë të ndryshëm që i kam botuar nëpër gazeta e revista, ndonjë sish edhe si parathënie a pasthënie librash. Megjithëse kurrë nuk kam pretenduar të merrem me kritikë letrare, shkrimet e tilla më janë imponuar herë pas here, madje edhe për realizimin e normës gjatë kohës sa punoja në “Rilindja”.
Nuk dua të zgjatem shumë, ndaj do t’jua zbuloj surprizën të cilën jeni kurioz ta mësoni. Kam në dorëshkrim dy vëllime me poezi më të reja dhe një sish me proza poetike, të cilat shpresoj që do ta shohin dritën shpejt, si një trilogji. Dëshiroj që 50 – vjetorin e krijimtarisë sime letrare ta përmbyll pikërisht me botimin e këtyre tri veprave të mia.
– Pothuaj të gjithë njerëzit kanë ndonjë peng. Shkrimtarët po se po. Cili është pengu juaj?
– Nëse bëhet fjalë për pengun letrar, mund të them se ëndërr ende e parealizuar e imja është botimi i kompletit të veprave të plota, gjë e cila është vështirë të realizohet, sepse nevojiten mjete të konsiderueshme materiale, të cilat, në këto kohë të pakohë, kur mungon përkrahja institucionale, është vështirë të realizohet.
Ndërkaq, sa i përket pengut jetësor, mund të them se është Presheva, përkatësisht Kosova Lindore, e cila është ndarë padrejtësisht nga trungu amë dhe tani po përjeton njërën nga periudhat më të vështira të mbijetesës. Si kurrë më parë po përjeton zbrazjen e heshtur, në sy të botës demokratike, pa ndihmën e nevojshme të faktorit shqiptar të Shqipërisë e të Kosovës! Ah, mos më daltë shpirti pa i parë të bashkuara të gjitha trojet etnike shqiptare! Ky ka qenë, është dhe do të jetë pengu im më i madh, derisa t’i mbylli sytë e të marr frymën e fundit…
___________________________________
Mexhid Mehmeti u lind më 1948 në Zhunicë të Preshevës. Fakultetin filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, e kreu në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Një kohë punoi në arsim, ndërsa nga viti 1985 e deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë, ishte korrespondent nga Kosova Lindore për gazetën “Rilindja” – “Bujku”. Pas luftës deri në shuarjen e së përditshmes “Rilindja” kreu detyrën e redaktorit në rubrikën e kulturës. Është prezantuar në disa antologji poetike, tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip e në gjuhë të tjera.
Është fitues i disa çmimeve letrare, ndër të cilat do veçuar: çmimin “Hivzi Sulejmani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për prozën më të mirë të vitit, për romanin “Shtatë ditë pas vdekjes” (2006) dhe çmimin “Ymer Elshani” për librin për fëmijë më të mirë të vitit, për romanin “Çamarrokët 1,2,3”.
Deri më sot i ka botuar këto vepra: “Klithje e përmallim” (poezi), 1977, “Lumja” (tregime), 1982, “Frymëmarrje”(poezi), 1984, “Peizazh i ngrirë” (poezi), 1994, “Rikthim dhembjeje” (poezi), 1998, “Presheva” (poemë), 1998, “Zibardhët” (dramë), 1998, “Monstrumiada” (dramë), 1998, “Ëndërroj për një ditë” (dramë), 1998, “Vdekje e hijshme” (dramë), 1998, “Puthja vrastare” (tregime), 2003, “Pikë në zemër” (poezi), 2005, “Hija e korbit” (novelë), 2005, “Zgafellja e hutinit” (novelë), 2005, “Shtatë ditë pas vdekjes” (roman), 2006, “Pallati me yje” (poemë), 2006, “Furtuna” (roman), 2007, “Përtej harrimit” (poezi), 2008, “Lëmë derrash” (roman), 2010, “Ishulli i vdekjes” (roman), 2012, “Tuna” (roman), 2012, “Kalvari”, 2012, “Çamarrokët I” (roman për fëmijë), 2015, “Çamarrokët II” (roman për fëmijë), 2015, “Çamarrokët III” (roman për fëmijë) 2015,
Në gjuhë të tjera: “Poezi të zgjedhura”, kinezisht, 2010; “Gatanje” (Fall), boshnjakisht, anglisht, 2012; “Naopta lunga” (Natë e gjatë), rumanisht, 2012; “Anatomia del dolore” (Anatomia e dhembjes), italisht, 2013.
___________________________________
Mexhid Mehmeti është një ndër figurat më të respektuara në Luginën e Preshevës. Si mësimdhënës, si gazetar dhe si shkrimtar, ai ka dhënë kontribut shumë të çmuar për arsimimin dhe emancipimin e shqiptarëve, për artikulimin dhe afirmimin e kërkesave të tyre politike.
Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” që botohet në New York i ka propozuar Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, që Mexhid Mehmetin ta dekorojë për kontributin e tij në letërsi si dhe në mbrojtje të të drejtave dhe lirive njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Propozimit i janë bashkëngjitur edhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginë të Preshevës, me seli në Preshevë, Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” në Preshevë dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Naim Frashëri”, në Fushë Kosovë, ku jeton dhe është shpallur Qytetar Nderi.
___________________________________
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie një profilë metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizre...
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...